
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka mirëpritur vendimin e Bashkimit Europian për të hequr masat ndëshkuese që i ishin vendosur Kosovës.
Masat erdhën pas tensioneve në katër komunat veriore në vitin 2023, por Kurti tha se ishin institucionet e Kosovës që u bënë cak i sulmeve terroriste, prej të cilave dy më të rënda, duke përmendur Banjskën dhe Ibër Lepencin.
“Ato ishin të padrejta që në ditën e parë sepse, së pari, institucionet e Republikës së Kosovës nuk ishin shkaktare të eskalimit të situatës në katër komunat në veri të vendit tonë dhe së dyti, sepse deeskalimi i situatës ishte pikërisht meritë e institucioneve të Republikës së Kosovës”, u shpreh Kurti.
Në retrospektivë Kurti tha se çdo kompromis ndaj sundimit të ligjit do të ishte fatal për Republikën e Kosovës.
Sipas tij, situata e qetë, lëvizja e lirshme dhe funksionimi i institucioneve të shtetit në veriun e Kosovës, është për shkak se sipas tij ka triumfuar sundimi i ligjit dhe rendi publik.
“Gjatë gjithë kësaj kohe, nuk kemi qenë asnjëherë të hidhëruar me Bashkimin Europian. Kemi mbetur plotësisht të përkushtuar ndaj integrimit evropian, për përmbushjen e kritereve për anëtarësim dhe për të vazhduar si aleatë dhe kampionë të vlerave demokratike”, theksoi Kurti.
Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti nuk la pa sulmuar edhe partitë opozitare për të cilat tha se mungesa e vullnetit të tyre bëri që Kosova të mos gëzojë mbi 1 miliard euro për shkak të mos miratimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Republika e Kosovës, masat më të mëdha financiare, nuk i ka vuajtur nga Bashkimi Europian, por nga opozita parlamentare. Në muajin e kaluar, përkundër insistimit tonë, Kuvendi i Republikës u shpërnda pa u votuar Plani i Rritjes së BE-së në vlerë prej 880 milionë euro dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë mbi 120 milionë euro”, deklaroi Kurti.
Qeveria mori disa vendime, përfshirë edhe vendimin në lidhje me Memorialin e Familjes Jashari dhe Epopenë e UÇK-së në Bashkinë Hora e Arbëreshëve në Itali dhe ndarjen e mjeteve për Bursën e Mobilitet për Studentë. (A2 Televizion)