Premtimet për sigurinë, partitë zotohen për të forcuar ushtrinë e Kosovës

Nga Ideal Gola
18 Dhjetor 2025, 19:46 | Politikë

Mandati i ardhshëm 4-vjeçar qeverisës është i rëndësishëm për Forcën e Sigurisë së Kosovës që në vitin 2028 pritet të mbyllë tranzicionin 10-vjeçar dhe të shndërrohet në Forcë të Armatosur.

Lëvizja Vetëvendosje ka premtuar së paku 1 miliard euro investime të tjera, ngritjen e fabrikës së municioneve dhe atë për prodhimin e dronëve dhe blerjen e pajisjeve të reja ushtarake.

Një tjetër element i rëndësishëm është ai për stërvitjen e të gjithë qytetarëve në kaudër të planit për mbrojtjen gjithpërfshirëse.

“Do të fillojmë programin e rezervës vullnetare në kuadër të planit për mbrojtje gjithpërfshirëse. Secili e secila që do t'i dal në mbrojtje vendit tonë do të përfshihet në trajtimin bazik ushtarak dhe do të ketë armën e rezervuar personale të ruajtur në kazermë. Në rast mobilizimi, secili e secila do ta dijë vendin se ku duhet të lajmerohet për të marrë armën dhe cilat detyrat do t'i ketë”, tha Kurti.

Për të mbrojtur Kosovën nga ndonjë kërcënim i mundshëm, Partia Demokratike e Kosovës thotë se do të investojmë në modernizimin e infrastrukturës ushtarake, rritjen dhe modernizimin e kapaciteteve të forcave mbrojtëse.

Gjithashtu PDK ka paraparë ngritjen e gardës kombëtare me të gjitha strukturat e parapara dhe sigurimin e gatishmërisë së tyre.

“Kosova do të jetë e përgatitur për çdo kërcënim. Ne do ta modernizojmë infrastrukturën mbrojtëse dhe do të krijojmë Gardën Kombëtare të Kosovës si forcë operative sipas standardeve të NATO-s. Anëtarësimi në NATO dhe BE për mua dhe PDK nuk ka alternativë. Do të thellojmë partneritetin me NATO e do të punojmë për Partneritetin për Paqe”, tha Hamza.

Buxhetin për mbrojtjen, Lidhja Demokratike e Kosovës e lidh me zhvillimin ekonomik të vendit. Megjithatë, ata premtojnë 60 milionë euro për rikonstruktimin dhe ridizjanimin e objekteve ushtarake dhe ndërtimin e 4 kazermave të reja në Prizren, Gjinoc, Gjakovë dhe Podujevë.

LDK ka paraparë edhe 12 milionë euro për ndërtimin e njësive të specializuara të gatshme për oepracione të paqes dhe ndihmë humanitare. Gjithashtu premton përmirësimin e kushteve sociale, përfshirë edhe rritjen e pagave për ushtarakët.

“Një ekonomi e fortë do të thotë një mbrojtje e fortë. Sa më i lartë Bruto Produkti ynë kombëtar aq më i lartë kontributi ynë për mbrojtjen. Me 2% të alokuara në mbrojtje Kosova do të vazhdojë me hapa të sigurtë drejt fuqimit të plotë të Ushtrisë së Republikës së Kosovës”, tha Abdixhiku.

Anëtarësimi në NATO mbetet prioritet për të gjithë partitë, ashtu sikurse edhe edukimi e tajnimi i vazhdueshëm për ushtarakët e Kosovës sipas standardeve të Aleancës më të madhe ushtarake. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos