Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftëtarë të tjerë që po mbahen në Hagë me akuza nga Gjykata Speciale do të duhet të votojnë sipas kategorisë së personave me nevoja të veçanta për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Në mbledhjen e së enjtes së KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje kërkoi që të hapet një qendër votimi e veçantë në Hagë në mënyrë që ish-luftëtarët e UÇK-së që po mbahen atje të votojnë fizikisht.
“Ajo që i mungon këtij dokumenti është edhe një qendër e re që duhet të hapet, që duhet të trajtohet si qendër e veçantë e që është e votimit në formën, modalitet që duhet të parashihet për qytetarët tanë që mbahen padrejtësisht në Hagë”, tha Alban Krasniqi, LVV.
“Konsideroj që nuk ka nevojë për hapje të votimit sepse hyjnë në kategorinë e votimit të personave me nevoja të veçanta. Kështu janë komunikimet zyrtare që kanë qenë”, tha Arianit Elshani, PDK.
Në momentin e përplasjes, përfaqësuesi i PDK në KQZ njoftoi se Gjykata Speciale nuk ka lejuar dërgimin e komisionerëve partiakë atje.
“Gjykata Speciale nuk është duke lejuar të dërgojë komisionerë të partive, e kemi kërkuar”, tha Elshani.
Sa i përket votimit me postë, në mbledhjen e KQZ-së u njoftua se operatori ekonomik është duke bërë shpërndarjen e pakove me fletëvotime në adresë të votuesve jashtë Kosovës.
“Nga 57 mijë e 829 dërgesa në total, 50 mijë e 611 janë dorëzuar me sukses te votuesit ose 88% të dërgesave të cilat votuesit i kanë pranuar. Nga numri i përgjithshëm i dërgesave, 48.870 (90%) janë dorëzuar te votuesit në shtete në Europë, ndërkaq, 2,141 dërgesa (51%) janë dorëzuar te votuesit në shete jashtë Europës”, u shpreh Besnik Buzhala, KQZ.
Bazuar në analizën dhe vlerësimin logjistik të Ministrisë së Punëve të Jashtme, KQZ vendosi që procesi zgjedhor jashtë Kosovës të organizohet në 16 ambasada dhe 13 konsullata që janë të vendosura në 18 shtete të ndryshme.
Votim fizik nuk do të ketë në 8 përfaqësi diplomatike të parapara me herët, përfshirë edhe në Tiranë, për shkak se ishin regjistruar vetëm 4 votues. Të njëjtit do të duhet të votojnë përmes postës. (A2 Televizion)