Për Kosovën procesi vonoi disa vite ndërsa për serbët ma pasaporta ilegale procesi për heqjen e vizave zgjati vetëm disa javë. Bashkimi Europian ka bërë të ditur me anë të një zëdhënësi të saj, se procesi i heqjes së vizave për banorët në Kosovë të cilët zotërojnë një pasaportë serbe, është diskutuar që në muajin janar të këtij viti. Një proces tepër i përshpejtuar, po të kemi parasysh intervalin e gjatë dhe të lodhshëm mes të cilës ka kaluar Kosova në çështjen e liberalizmit të vizave.
“Ky proces është rekomanduar që në muajin nëntor të këtij viti. Unë besoj se Këshilli ka miratuar amendamentet për çështjen e vizave dhe rregullat që rrjedhin pre saj, e cila do t’i lejojë të gjithë serbëve të Kosovës të cilët mbajnë një pasaportë serbe të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Europian. Kjo do t’u mundësojë të gjithë banorëve të Ballkanit Perëndimor të udhëtojnë pa viza”, tha Christian Wigand, zëdhënës i BE.
Nga ana e tij, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar ashpër për këtë vendim të Këshillit të BE. “E konsiderojmë të padrejtë, të dëmshme dhe dekurajuese për integrimin e serbët, sidoqoftë Republika demokratike dhe e pavarur e ka forcuar pasaportën e saj si asnjëherë më parë, ndërkaq, ne nuk kemi mundësi të mëdha që të ndikojmë në vendimet e Brukselit, japim qëndrimin tonë dhe nuk mund të jetë i ndryshëm, ajo çka ka thënë presidentja, Ministria e Punëve të Jashtme, është qëndrimi i përbashkët i institucioneve të republikës”, tha Kurti.
Sakaq, Bashkimi Europian nuk ka dhënë detaje për sa i përket vendimit të Këshillit të BE për të miratuar heqjen e vizave për banorët e Kosovës të cilët posedojnë një pasaportë serbe. I pyetur për faktin se pse shqetësimet e Kosovës nuk janë marrë në konsideratë, zëdhënësi i BE refuzoi të përgjigje.
Raporti për liberalizmin e vizave u përpilua nga deputeti slloven, Matjazh Nemec, dhe u votua me 34 vota pro. Në argumentim thuhet se, zgjerimi i liberalizimit të vizave të BE-së për banorët serbë të Kosovës është i rëndësishëm për të parandaluar diskriminim ndaj këtyre qytetarëve të cilët rrezikojnë të trajtohen ndryshe nga banorët e tjerë.
(A2 Televizion)