Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, u ka rekomanduar shteteve anëtare heqjen e masave ndaj Kosovës, thekson Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike në union, që kanë pasur qasje në raportin e shefit të diplomacisë së BE-së.
Burimet cituan rekomandimin e bërë nga Borrelli në raportin e tij ku thuhet se: “Duke marrë parasysh hapat që ka ndërmarrë Kosova drejt përmbushjes së kërkesave të BE-së të shprehura në deklaratën e 3 qershorit të vitit 2023, përfaqësuesi i lartë i rekomandon Këshillit që të marrë qëndrimin e heqjes së masave ndaj Kosovës, në të njëjtën kohë duke respektuar prerogativat institucionalë”, thuhet në reagimin e Borrell.
Në rekomandimin e tij, Borrell ka shkruar se “vendimi nga ana e Këshillit do të ishte sinjal politik dhe do të kontribuonte në kontekstin e balancuar në të cilin dialogu Prishtinë-Beograd, që lehtësohet nga BE-ja, mund të ecë përpara”. (A2 Televizion)