“Do bashkëpunojmë për 20 veterinerë”, kryenegociatorët e Serbisë dhe Kosovës dalin "duarbosh" nga Brukseli

Nga Xhevahir Qardaku
24 Tetor 2024, 20:18 | Politikë

Nuk ka pajtueshmëri në takimin në Bruksel midis Kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë. Duke folur pas takimit në Bruksel me Petkoviçin nën ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropiane, Bislimi tha se në fokus të takimit ishte gjetja e një mënyre për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazë, për normalizimin e marrëdhënieve, për çka Kosova dhe Serbia u pajtuan në fillim të vitit 2023.

“S’ka rezultate në pikën rreth ecjes përpara në normalizim të raporteve. Serbia po insiston edhe më tutje në implementim të pjesshëm, sipas idesë ‘ne bëjmë diçka ju bëni diçka”, tha Besnik Bislimi, Kryenegociator i Kosovës.

Bislimi ka akuzuar Serbinë se po insiston në implementim të pjesshëm të marrëveshjeve dhe e ka cilësuar këtë qëndrim si joserioz. Ai e ka quajtur dështim të madh rundin e sotëm të negociatave. Ndërkohë përparim pati në projektin për shkëmbimin e 20 veterinerëve në pikën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan A2.

"Jemi dakorduar që të themelojmë një grup pune, e cila do të harmonizojë 20 veterinarë, që përdoren në kalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Të kërkohet që inspektorët sanitarë të vendosen në mënyrë të përhershme te Dheu i Bardhë”, u shpreh Besnik Bislimi, Kryenegociator i Kosovës.

Sakaq, Drejtori i të ashtuquajturës, Zyrë për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviç, tha se bisedimet ishin të dhimbshme dhe se delegacioni ka insistuar në formimin e Unionit të Komunave Serbe, si gjithmonë.

“Takimi me Bislimin ka qenë i dhimbshëm, sepse Prishtina refuzon të diskutojë propozimet e Beogradit. Thelbi i të gjitha marrëveshjeve, si nga Brukseli ashtu edhe nga Ohri, është formimi i Asociacionit të Komunave Serbe dhe kjo është baza për normalizimin e marrëdhënieve”, tha Petar Petkoviç, Kryenegociator i Serbisë.

Ky ishte takimi i parë trepalësh pas më shumë se tre muajve, pasi në takimeve e kohëve të fundit, Bislimi dhe Petkoviçin nuk kishin arritur pajtueshmëri për t'u takuar së bashku. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos