Projekti i Këshillit të Europës, Kurti zotohet para KiE: S'do të ndalet mbështetja për pakicat

Nga Ideal Gola
22 Tetor 2024, 20:53 | Politikë

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se mbështetja për pakicat në Kosovë ka qenë e madhe gjatë viteve të qeverisjes së tij porse përpjekjet për të ndihmuar edhe më shumë nuk do të ndalen.

Këto deklarata i bëri gjatë një ceremonie në nisjen e një iniciative të Këshillit të Evropës për të kontribuar në kohezionin shoqëror duke fuqizuar pakicat kombëtare dhe duke promovuar gjuhët e pakicave.

Mes vendimeve që janë marr, Kurti përmendi zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për t’ia kaluar pronat Manastirit të Deçanit, shkruan A2.

“Ne kemi qenë në gjendje të demonstrojmë përparim domethënës që nga opinioni i pestë i Komitetit Këshillimor. Për shembull: me verifikimin e diplomave nga Universiteti i Mitrovicës së veriut dhe bazën ligjore që kemi krijuar për verifikimin edhe të diplomave të shkollave të mesme nga shkollat që marrin mësim në gjuhën serbe”, tha Kurti.

Ngritja e ndërgjegjësimit për të drejtat e pakicave dhe promovimi i pajtimit dhe kohezionit shoqëror në nivele të ndryshme të shoqërisë u tha se janë objektivat kryesore të projektit.

“Mbrojtja e pakicave të jetë pjesë e procedurave të punës, t’i përfshijmë në praktikat e qeverisë të fuqizojmë rendin dhe ligjin që të krijojnë një ambient më të sigurt për pakicat”, u shpreh Mary Ann Hennessey, shefe e zyrës së Këshillit të Europës në Kosovë.


Kjo ngjarje mblodhi akterët kryesorë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke përfshirë Zyrën për Qeverisje të Mirë, Avokatin e Popullit, përfaqësues nga Këshilli i Evropës dhe organizata të shoqërisë civile, për të diskutuar mbi rëndësinë e komunikimit ndëretnik në një shoqëri diverse dhe për të eksploruar rolin e pakicave të ndryshme në arritjen e kohezionit shoqëror. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos