Emra të rinj apo qeveri e vjetër? Kurti mban sekret çështjen e koalicionit: Jam shumë vonë…

Nga Xhevahir Qardaku
5 Shkurt 2026, 15:14 | Politikë

“Nuk kam kohë, jam shumë vonë për takimet e radhës…” Ishte kjo përgjigja e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, ndaj pyetjes se gazetarëve nëse Vetëvendosje synon që të bëjë koalicion me parti të tjera shqiptare.

Megjithatë bisedime zyrtare me aktorët politikë të mëdhenj në Kosovë nuk raportohen, përveç një konfirmimi se shumica qeverisëse do të përbëhet nga disa aleatë që vijnë nga partitë e pakicave jo serbe. Një ditë më parë, Kurti dha sinjale serioze lidhur me emrat që do të ulen në karriget e ministrive.

“Do të ketë shumë prej emrave të cilët tashmë i kam prezantuar edhe unë edhe Konjufca në vjeshtën e vitit të kaluar, mirëpo nuk di të jenë identik, do të ketë edhe emra të tjerë. Po përgatitemi qe së pari ta konsituojmë Kuvendin dhe sa me shpejt ta formojmë Qeverinë e re. Siç e dini i kemi tri marrëveshje ndërkombëtare me Bankën Botërore dhe e kemi Planin e rritjes me BE që është 882.6 milionë euro e që duhet sa më parë ta miratojmë në Kuvendin e Kosovës pa harruar që e kemi më se shumti obligim e ky është buxheti për vitin 2026”, u shpreh Kurti.

Ndërkohë i pyetur për një takim me presidenten Vjosa Osmani për të biseduar rreth çështjes së përzgjedhjes së presidentit ose presidentes, Kurti tha se ai është hapi i katërt pas formimit të qeverisë. Kreu i Vetëvendosjes nënvizoi se procesi për presidentin e ri po ecën mirë, por nuk zbuloi nëse do ta mbështesë kandidaturën e zonjës Osmani. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos