“Duam të anëtarësohemi në BE dhe NATO!” Kurti kërkon mbështetjen e Irlandës në takimin e Komunitetit Politik

Nga Rosalba Bejdo
12 Nëntor 2026, 14:49 | Politikë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar mbështetjen e Irlandës për avancimin e procesit të integrimit evropian të Kosovës, përkatësisht për marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe hapjen e negociatave për anëtarësim. Kurti po merr pjesë në takimin e Komunitetit Politik Evropian kur shprehu gjithashtu aspiratën për anëtarësim në NATO.

“Irlanda është një histori e jashtëzakonshme suksesi e integrimit evropian dhe anëtarësimit në institucionet evropiane. Edhe Republika e Kosovës synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Megjithatë, për të arritur këtë objektiv, fillimisht duhet të fitojmë statusin e vendit kandidat dhe të hapim negociatat për anëtarësim.

Ne kemi besim te Presidenca irlandeze dhe dëshirojmë të shprehim mirënjohjen tonë për popullin irlandez, i cili në vitin 1999 strehoi mbi 1 000 refugjatë shqiptarë të Kosovës, në një kohë kur ata u dëbuan me forcë nga atdheu i tyre si pasojë e gjenocidit të kryer nga forcat e armatosura të Serbisë së Millosheviçit dhe të Jugosllavisë”, tha Kurti, përcjell A2 CNN.

“Gjithashtu, dëshiroj të falënderoj ushtarët dhe oficerët irlandezë që kanë shërbyer në kuadër të KFOR-it gjatë më shumë se dy dekadave e gjysmë, duke kontribuar në garantimin e paqes, sigurisë dhe mbrojtjes për të gjithë qytetarët e vendit tim. Bashkimi Evropian dhe NATO janë organizata të pazëvendësueshme për demokracinë, prosperitetin dhe sigurinë e përgjithshme”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos