Fitoi zgjedhjet në Kosovë, Kurti: Shumë shpejt do t'i krijojmë institucionet e reja

Nga A2 CNN
29 Dhjetor 2025, 18:03 | Politikë

Fitoi zgjedhjet në Kosovë, Kurti: Shumë shpejt do t'i

Liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili në zgjedhjet e 28 dhjetorit fitoi 49.3% të votave, nuk i duhet bashkëpunim me partitë shqiptare për ta bërë qeverinë. Së shpejti institucinet e reja.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, partia e të cilit i fitoi zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë dhe i cili pritet të jetë kryeministër edhe për një mandat katërvjeçar, fitoren e partisë së tij e cilësoi si më të madhën në historinë e vendit. Në mesnatë, kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi rezultatet paraprake, Kurti para medieve tha se "sapo të certifikohen rezultatet përfundimtare, do t'i krijojmë institucionet dhe të vazhdojë puna”.

Ai fillimisht përmendi marrëveshjet ndërkombëtare, për çka, siç tha, i duhet bashkëpunim me partitë opozitare. "Na pret Plani i Rritjes i BE-së në vlerë 880 milionë euro dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë 120 milionë. Pra mbi 1 miliard. Ftoj nga tash partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare, marrëveshjet e mira dhe për interesin publik të qytetarëve”, deklaroi Kurti.

Ai u pyet edhe për çështjen e postit të Presidentit të vendit, pasi në mars i skadon mandati Vjosa Osmanit dhe për zgjedhjen e Presidentit duhet kuorumi i dy të tretave nga 120 deputetë sa i ka Kuvendi i Kosovës.

Zgjedhja e Presidentit

"Na duhet të bisedojmë edhe me opozitën për çështjen e Presidentit. Paraprakisht, do të ulem me Presidenten aktuale dhe më pas do t'i ndërmarrim edhe hapat e ardhshëm në mënyrë që të ecim përpara bashkë, sepse dihet që si për marrëveshjet ndërkombëtare, ashtu edhe për zgjedhjen e Presidentit, duhet së paku të qëndrojnë në sallë 80 deputetë, edhe nëse votojnë kundër. Por ky është hapi i tretë”, tha Kurti.

Në bazë të rezultateve paraprake, Lëvizja Vetëvendosje me 49.3% të votave të fituara, siguroi 56 ulëse në Kuvend. E dyta që u rendit në zgjedhje, Partia Demokratike e Kosovës, me 21% fitoi 23 ulëse, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila pësoi rënien më të madhe me vetëm 13,57%, siguroi 15 ulëse.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e Ramush Haradinajt, që mori 5,68, siguroi 6 ulëse në Kuvend. Lista Srpska, që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, siguroi 10 ulëset e rezervuara për pakicat në Kuvend. 10 ulëse të tjera janë të garantuara për pakicat tjera jo serbe.

Rënia e LDK

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), krahasuar me zgjedhjet e 09 shkurtit, shënoi rënien më të madhe në zgjedhjet e ditës së diel, ku humbi pesë mandate. Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, mori përgjegjësinë për rezultatin dhe në një paraqitje pak para mesnatës, tha se ditëve në vijim ai do ta ftojë Kuvendin e partisë për të shqyrtuar të gjitha çështjet dhe përgjegjësitë si kryetar.

"Duke marrë përgjegjësinë, ditëve në vijim do ta thërras Kuvendin e LDK-së dhe para tij do t'i shpalosim e shqyrtojmë të gjitha çështjet dhe përgjegjësitë që mbaj si kryetar. Rezultati i LDK-së nuk është ai që e kemi pritur dhe dëshiruar. Është moment reflektimi. Kur qytetarët flasin, ne duhet të dëgjojmë. Demokracia funksionon kur udhëheqësit mbajnë përgjegjësi, edhe kur kanë humbje të tilla”, tha Abdixhiku, duke mos e përjashtuar as dorëheqjen, nëse këtë ia kërkon partia. Abdixhiku e uroi edhe fituesin e zgjedhjeve, Albin Kurti.

"Më lejoni të uroj fituesin. Shteti është mbi secilin prej nesh. Le të shpresojmë se qytetarët kanë zgjedhur drejt këtë herë”, tha ai.

Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, nuk e ka komentuar akoma rezultatin e zgjedhjeve, partia e të cilit, krahasuar me zgjedhjet e këtij fillimviti, humbi një mandat. Në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28.12, pjesëmarrja në votime, sipas KQZ-së, ishte rreth 45%. Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se sa i përket procesit të votave nga diaspora, ato nga përfaqësitë diplomatike do të arrijnë gjatë javës së ardhshme, ndërkaq votat me postë deri më 5 janar. Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që u zhvilluan më 28.12 ishin të dytat me radhë brenda këtij viti, pasi për më shumë se dhjetë muaj, pas zgjedhjeve të rregullta të 09.02, partitë politike nuk arritën të krijojnë institucionet e reja./ DW (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos