
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hapur Qendrat Komunale të Numërimit në 38 komunat e Kosovës. Mesditën e së hënës ka nisur numërimi i votave për të gjithë kandidatët për deputetë si dhe do të bëhet verifikimi i votave për subjektet politike.
Të dielën në mbrëmje është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve për subjektet politike dhe sipas procedurave, të gjitha materialet zgjedhore janë tërhequr dhe vendosur në Qendrat Komunale të Numërimit.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpall rezultatet përfundimtare të një procesi zgjedhor pasi të bëhet verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga vendvotimet, pasi të bëhet numërimi i votave të kandidatëve, pastaj numërimi i votave nga votimi me kusht, i votave nga votimi jashtë Kosovës dhe i eprsonave me nevoja të veçanta, vetëm atëherë do të kemi rezultatet përfundimtare”, tha Valmir Elezi
KQZ.
Për t’u numëruar mbeten edhe mbi 16 mijë vota nga diaspora nga ambasadat dhe konsullatat e Kosovës në vende të ndryshme. Ndërsa ka nisur tërheqja e pakova me fletëvotime për ata që kanë votuar përmes postës. Të regjistruar për këtë proces ka qenë 58 mijë, shkruan A2 CNN.
Të dielën është votuar edhe me kusht dhe me ekipe mobile për persona me nevoja të veçanta.
“Sipas të dhënave preliminare, nga 57 vendvotime me kusht, në 38 komuna të vendit, në përgjithësi janë evidentuar në sistem mbi 9,900 votues të regjistruar për të votuar me kusht. Së shpejti do të kemi edhe të dhënat nga votimi i personave me nevoja të veçanta, i cili është realizuar jashtë vendvotimeve. Numri i votuesve të regjistruar në këtë program votimi ka qenë mbi 2,860”, tha Elezi.
Procesi i numërimit të votave do të ndërpritet të mërkurën në ora 12:00 për shkak të Vitit të Rid he komisionerët do të kthehen më 1 janar në ora 16:00. (A2 Televizion)