Formimi i institucioneve, PDK pa vija të kuqe: Preferojmë koalicionin me LDK-në

Nga Ideal Gola
28 Mars 2025, 20:33 | Politikë

Presidentja Vjosa Osmani konfirmoi se kanë pranuar njoftimin për certifikimin e rezultateve nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. 

Nga Ferizaj, ajo deklaroi se do të respektohen të gjitha afatet kushtetuese dhe seanca konstituive e Kuvendit do të ftohet brenda 30 ditësh.

“Për momentin ekipi im ligjor është duke analizuar se sa mund të ketë nevojë për kohë për përgatitje të kësaj seance në mënyrë që kur të thirret seanca edhe të jetë e suksesshme, pra, të jetë i suksesshëm konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Gjithçka do të bëhet brenda afatit kushtetues, për momentin nuk mund t’iu jap një datë se dua të jem e saktë, mirëpo shumë shpejtë do ta kemi edhe datën”, tha Osmani.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk iu përgjigj interesimit të mediave në lidhje me formimin e qeverisë së re, shkruan A2 CNN.

Ndërsa nga Prishtina, Bedri Hamza, kandidat për kryeministër nga radhët e PDK-së, kërkoi që të mos ketë vonesa në formimin e institucioneve.

Ai shtoi se nuk duhet të ketë pengesa për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, post ky i që i takon Lëvizjes Vetëvendosje, dhe propozimi duhet të votohet nga të gjitha partitë politike.

Në lidhje me takimet për bashkëpunim, Hamza tha se ka pasur biseda me LDK-në, AAK dhe Nisma për një koalicion të mundshëm, por nuk u tregua shumë i hapur për t’i lënë pozitën e kryeministrit Lumir Abdixhikut, si një nga kushtet e tij për koalicion qeverisës.

“Renditja është e qartë, PDK është partia e dytë, i ka 24 deputetë dhe asnjëherë në tavolinë nuk kemi pasur kërkesë, nuk kemi pasur temë se si do të duket Qeveria e ardhshme e Kosovës, radha dihet dhe mbi bazën e kësaj ne do të diskutojmë”, u shpreh Hamza.

Hamza tha se nuk kanë pranuar ftesë nga Albin Kurti për të biseduar për ndonjë koalicion, por nuk tregoi si do të vepronin nëse një e tillë vjen së shpejti.

Në konferencën për media, Hamza shtoi se nuk kanë vija të kuqe për asnjë parti politike.

“Është në autoritetin dhe të drejtën e Lëvizjes Vetëvendosje a iu bën ftesë partive të tjera politike a nuk iu bën ftesë, deri tash në drejtim të Partisë Demokratike të Kosovës zyrtarisht nuk ka ardhur asnjë kërkesë që të kemi takime dhe biseda”, tha Hamza.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, deklaroi të enjten në mbrëmje se LDK me kushtet e saj po bllokon formimin e një qeverie te opozitës. 

Ndërsa Abdixhiku i reagoi duke thënë se presionet nuk e dobësojnë pozicionin e partisë së tij.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos