Një ditë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit nga KQZ, Presidentja Vjosa Osmani, ka folur rreth thirrjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Osmani para mediave deklaroi se tashmë ka pranuar shkresën nga KQZ dhe deklaroi se do të respektojë afatin kushtetues prej 30 ditësh.
“Pak më parë ka ardhur edhe shkresa zyrtare nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Presidencën e Republikës së Kosovës ku na njoftojnë me rezultatet e zgjedhjeve të certifikuara, mënyrën se si ndahen ato ulëse në Kuvendin e Kosovës. Siç e dini ka një afat prej 30 ditësh, është një afat kushtetues ligjor, i cili parashihet për thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Për momentin ekipi im ligjor është duke analizuar se sa mund të ketë nevojë për kohë për përgatitje të kësaj seance në mënyrë që kur të thirret seanca të jetë e suksesshme. Pra, të jetë i suksesshëm konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Gjithçka do të bëhet brenda afatit kushtetues, për momentin nuk mund t’iu jap një datë se dua të jem e saktë, mirëpo shumë shpejt do ta kemi atë”, tha Presidentja. (A2 Televizion)