Eurodeputeti austriak Lukas Mandl tha se lidershipi politik duhet të mbrojë lirinë e shprehjes. Sipas tij, zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet edhe atëherë kur është i qetë apo jo ekstrem.
Kështu u shpreh ai në një diskutim me studentët e Universitetit të Prishtinës, me të cilët foli për integrimin europian, sfidat dhe perspektivën e Kosovës.
“Në diskursin politik ne themi se polarizimi mund të çojë në diçka qartësisht të dëmshme. Përçarja është diçka ku një fqinj nuk flet më me tjetrin madje edhe brenda grupeve të ndryshme shoqërore, familjeve, kompanive, fshatrave, lagjeve. Mund të shkaktosh përçarje kur demokracia dëmtohet, kur gjuha e urrejtjes shfaqet nën ombrellën e ashtuquajturës liri e shprehjes. Pra, mbrojtja e lirisë së shprehjes është shumë më komplekse nga sa mund të mendohet. Nuk është anarki. Është e drejta për të shprehur veten, edhe nëse zëri yt nuk është ekstrem, por më tepër i arsyeshëm. Edhe nëse zëri yt nuk është i lartë, por më tepër i qetë. Edhe nëse nuk është plotësisht i bindur në vetvete, ndoshta është më reflektues. Ndoshta është edhe pjesë e dialektikës, siç quhet”, u shpreh Lukas Mandl, eurodeputet. (A2 Televizion)