Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, komenton për herë të parë anëtarësinë në Bordin e Paqes të Presidentit amerikan, Donald Trump.
Ai nënvizoi se Kosova dëshiron që të kontribuojë për paqen kudo ku ka mundësi, shkruan A2.
“Unë jam Kryeministër në detyrë, nuk jam ende në mandatin tim të tretë, por kudo që ka nevojë për paqen në botë, ne dëshirojmë që të kontribuojmë, sepse kemi qenë përfitues të paqes në vendin tonë nëpërmjet forcave ndërkombëtare, andaj tani duam që të marrim pjesë me forcat tona dhe kapacitetet tona edhe në paqe, në vende të ndryshme në botë”, theksoi kryeministri.
Kurti shprehu gatishmërinë për të qenë pjesë e forcave paqeruajtëse për Gazën: “Meqenëse do të marrim pjesë në Forcën Stabilizuese Ndërkombëtare, ne kemi qenë të interesuar që natyrisht të marrim pjesë edhe në organet vendimmarrëse politike për atë Forcë Stabilizuese Ndërkombëtare”. (A2 Televizion)