
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se është shumë larg një marrëveshjeje mes tij dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për zgjedhjen e presidentit.
“Nuk kam lajme të reja, por mund t’ju them se jemi shumë, shumë larg një marrëveshjeje eventuale dhe nuk mund të them se pres të ndryshojë diçka pa ndryshuar pozicionet e partive politike. Për LDK-në, balanca institucionale është e domosdoshme dhe përderisa nuk ka balancë institucionale, atëherë nuk mund të ketë as marrëveshje politike për të cilën po përpiqemi tash e sa kohë. Në qoftë se qëndrojnë të njëjtat pozicione si deri më tani, atëherë përfundimi është i njëjtë si ai që kemi pasur deri tani”, deklaroi Abdixhiku.
Kjo, për faktin, se insiston që kandidati për president të propozohet nga LDK, me emrat që do të diskutoheshin me partnerët e koalicionit.
“Është çështja e presidentit. LDK ka kërkuar që presidenti të propozohet nga LDK, natyrisht që emrat të diskutohen me partnerët tanë dhe në këtë pikë nuk kemi pasur dakordim. Edhe një herë, pozicioni dhe oferta e deritashme, që tashmë e keni të qartë, që LDK të marrë vetëm zëvendëskryeministrin dhe disa ministri, nuk është e mjaftueshme. Nuk qëndron, nuk është e mjaftueshme dhe nuk përbën zgjidhje për krizën në të cilën jemi tani. Pra, nuk mund ta trajtojmë me seriozitet dhe nuk mund ta pranojmë si të tillë. Nëse e doni LDK-në në qeverisje, atëherë LDK duhet të jetë e përfaqësuar”, deklaroi Abdixhiku.
Abdixhiku tha se LDK është e gatshme të diskutojë edhe emrat për postin e presidentit, por vetëm pasi të ketë dakordim që propozimi për këtë post t’i takojë LDK-së.
“Në momentin që Kurti pranon që propozimi të nisë nga LDK-ja, atëherë pajtohemi edhe për emra, i flasim, i diskutojmë. Por, në qoftë se nuk pajtohet që propozimi të nisë nga LDK-ja, atëherë s’kemi pse të propozojmë emra”, deklaroi ai.
Abdixhiku bëri të ditur se i ka kërkuar zyrtarisht Albin Kurtit që ta thërrasë seancën konstituive gjatë ditës së sotme, duke theksuar se Kuvendi duhet të konstituohet dhe të zgjidhen kryetari e Kryesia e Kuvendit.
“I kërkova zyrtarisht, si kryetar i LDK-së, që të bëjë gjithçka që është e mundshme që ta thërrasë seancën sot. Duhet të konstituohet Kuvendi, duhet të zgjidhet kryetari i Kuvendit, duhet të zgjidhet Kryesia. Ia njohim të drejtën Vetëvendosjes që ta ketë kryetarin e Kuvendit. Na lejoni edhe neve t’i kemi nënkryetarët tanë në Kuvendin e Kosovës e mos të futemi në kriza procedurale tutje, por të përpiqemi që edhe pas konstituimit të Kuvendit të gjejmë zgjidhje”, tha Abdixhiku. (A2 Televizion)