“Mbani përgjegjësinë tuaj”, PDK dhe AAK, refuzojnë letrën e Kurtit për takim

Nga Erjon Dervishi
3 Gusht 2026, 19:25 | Politikë

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë refuzuar ftesën e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti për takim. Kurti, njëherësh udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, i dërgoi këto ftesa udhëheqësve partiakë vetëm tri ditë para se të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së njëmbëdhjetë të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit.

Në letrën që kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i ka dërguar Kurtit, thuhet se në takimin e parë në korrik, është bërë i qartë qëndrimi i partisë se do të qëndrojë në opozitë. “Presim nga ju që në përputhje me përgjegjësitë që burojnë nga zgjedhjet e 7 qershorit, së bashku me partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës të arrini marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja të vendit”, thuhet në letrën e Hamzës, që u publikua nga mediat vendore në Kosovë.

Aleanca e udhëhequr nga Ardian Gjini, po ashtu e refuzoi takimin, sikurse kishte vepruar edhe në korrik. Në ftesën që i ishte dërguar Aleancës, Kurti kishte propozuar që takimet të mund të mbaheshin të martën ose të mërkurën, pa ndonjë orë të caktuar. Nga Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk kanë konfirmuar nëse kanë pranuar ftesë për takim nga Kurti dhe si do t'i përgjigjeshin asaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos