
Përplasje të forta janë shënuar ditën e sotme në Kuvendin e Kosovës mes deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe ministres në detyrë të Drejtësisë, Donika Gërvalla.
Deputetët e PDK-së i kanë kërkuar Gërvallës që të thërritet seanca konstituive e Kuvendit, ndërsa ministrja i ka ftuar në takim.
Debati ka degjeneruar në replika të ashpra mes Gërvallës dhe deputetes Blerta Deliu. “Largohu veç pak, s’ke nevojë në fytyrë”, dëgjohet t’i thotë Gërvalla, ndërsa Deliu i është përgjigjur: “S’po të vjen marre.”
Gjatë përplasjes janë dëgjuar edhe thirrjet “UÇK” dhe “Poshtë Jugosllavia”.
Tensionet janë përshkallëzuar edhe mes Gërvallës dhe Artan Behramit, me akuza të ndërsjella. Behrami i ka thënë ministres se “ke shkelë mbi gjakun e UÇK-së”, ndërsa Gërvalla i është përgjigjur: “Mos rrej.”
Ndërsa Ardian Gola i LVV-së hyri në sallën kryesore të Kuvendit dhe po përplasej me deputetë të PDK-së, Ganimete Musliu e PDK-së i hodhi atij ujë.
“Super kriminela jeni. Po e shkelni Kushtetutën”, i tha Musliu Golës pasi i hodhi ujë.
Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar ende, pasi në dy tentimet e deritanishme nuk është arritur të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe të përmbyllet procesi i konstituimit të Legjislaturës së 11-të. Seanca konstituive po vazhdon të jetë në qendër të përplasjeve mes partive parlamentare, ndërsa dështimi për formimin e institucioneve po e zgjat krizën politike në vend.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar kohë për arritjen e një marrëveshjeje politike, në përpjekje për t’i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja. (A2 Televizion)