Kosova ngre zërin përballë kërcënimeve serioze që vijnë nga Serbia. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, në një event me ambasadorët, u kërkoi që të ngrenë si shqetësim këto çështje në vendet ku shërbejnë. Ajo nënvizoi rëndësinë e Ibër-Lepencit dhe liqenit të Ujmanit për furnizimin me ujë, energjinë dhe bujqësinë, pas kërcënimit nga presidenti serb se po bëhet gati që t’i ndryshojë rrjedhën e ujit.
“Ndërhyrja e njëanshme në rrjedhat ujore do të kishte pasoja shumë më tej përtej çështjeve teknike. Do të prekte sigurinë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore të Kosovës. Diplomatët tanë duhet t’i bëjnë të njohura këto deklarata në vendet ku shërbejnë”, tha Albulena Haxhiu, Ushtruese e detyrës së presidentit.
Ushtruesja e detyrës së presidentit kërkoi gjithashtu nga ambasadorët që të njoftojnë vendet ku shërbejnë që të tregojnë për krimet e luftës të kryera nga Serbia dhe faktin që edhe sot po gjenden dëshmi të makabriteteve.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kryediplomati në detyrë, Glauk Konjufca, ngritën shqetësimin lidhur me synimet hegjemoniste të Serbisë ndaj Kosovës.
“Zgjerimi i kapaciteteve ushtarake të Serbisë nuk është thjesht një përpjekje për të modernizuar ushtrinë e saj, po një strategji më e gjerë politike dhe diplomatike që lidhet drejtpërdrejt me synimet hegjemoniste karshi rajonit tonë, e veçanti Kosovës. Retorika e vazhdueshme e liderëve të saj dëshmon vijimësinë e pretendimeve ekspansioniste të Serbisë në rajon, shoqëruar me thirrje për fuqizimin e mëtejshëm të kapaciteteve ushtarake për arritjen e këtij qëllimi”, tha Kurti.
“Retorika e pandryshuar agresore e politikës zyrtare serbe kundrejt Republikës së Kosovës dëshmon se Serbia është burim kërcënimi dhe destabiliteti për paqen rajonale dhe evropiane. Deklarata e ministres serbe se, po të ishte në vend të Millosheviqit, do ta spastronte etnikisht Kosovën, sërish është një deklaratë që duhet të merret seriozisht jo vetëm si shtet i Kosovës, por edhe nga aleatët ndërkombëtarë. Qëndrimet tolerante të BE-së ndaj pozicioneve të tilla të Serbisë e kanë inkurajuar Serbinë të mos heqë dorë nga ambiciet e saj hegjemoniste”, tha Konjufca.
Mesazhe me përmbajtje kërcënuese ndaj Kosovës po vazhdojnë të vijnë nga Serbia thuajse çdo ditë. Së fundmi, një grafit me mbishkrimin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” është vendosur në Peruçac, në zonën e Bajina Bashtës. (A2 Televizion)