Mandatari i dytë për të formuar Qeverinë e Kosovës, Glauk Konjufca ka kohë deri më 19 nëntor për të paraqitur programin dhe kabinetin para deputetëve të Kuvendit dhe për të marr besimin e tyre.
Ndonëse ende nuk është ftuar seanca, Lëvizja Vetëvendosje përballet me të pamundurën për të siguruar 61 vota për shkak të qëndrimit se nuk dëshiron koalicion me asnjë parti.
Zgjedhjet e parakohshme duken si e vetmja zgjidhje, edhe pse ka dyshime se mund të prodhojnë rezultate të njëjta sikurse 9 shkurti.
“Kosova domosdoshmërisht do të shkojë në zgjedhje dilema është kur, kur të shkohet në zgjedhje, nëse shkohet në zgjehdje tani para ose menjëherë pas Vitit të Ri mendoj se do të jetë gabim sepse ka gjasa shumë të mëdha që bllokada e pranverës, verës dhe vjeshtës të përsëritet sepse asgjë nuk ka ndryshuar, as në raportin e forcave, por as sa i përket procedurës kushtetuese të zgjedhjes së kryetarit të Parlamentit”, tha Melazim Koci, analist.
Në rast se zgjedhjet do të mbahen në dhjetor atëherë mazhoranca që do të dal duhet të mendojë edhe për zgjedhjen e presidentit të ri, votim ky që duhet të kryhet në muajin mars me të paktën 80 vota për të qenë i suksesshëm.
“Një qeveri që do të ketë përkrahjen e 80 deputetëve do të jetë mëse e domosdoshme dhe varet se si do të jenë numrat ndoshta edhe këto koalicione dhe rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale pas balotazhit do të jenë edhe një tregues shtesë se si mund të dukej një qeveri pas zgjedhjeve të ardhshme të jashtëzakonshme”, tha Artan Alijaj, analist.
Për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, varësisht nga interest, të gjitha partitë kanë lidhur marrëveshje koalicioni me njëra-tjetrën.
Një qeveri tranzicioni shihet si një ide e mirë para zgjedhjeve të mundshme që do të mbaheshin në pranverë pasi kjo t’i jepte mundësi partive që të bënin llogaritë ndryshe.
Sipas analistëve, do të ishte e dobishme për LDK-në e cila refuzoi të ishte në një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje por edhe me PDK në një qeveri të bllokut opozitar.
“Lidhja Demokratike do ta ketë më lehtë pas zgjedhjeve të prillit sepse nuk rrezikon humbje të elektoratit pas prillit, pra nuk ka hyrë në koalicion sepse kishte rrezik të humbjes së elektoratit dhe përçarjes së brendshme, këto të dyja bien kështu që gjasat do të jenë më të mëdha me kusht që z. Kurti të mos mbetet pranë qëndrimit, sipas bindjes sime, të formimit të një qeverie të vetme”, tha Koci.
Votimi për kabinetin e Glauk Konjufca do të jetë mundësia e fundit për deputetët. Në rast se nuk ka 61 vota, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje. PDK, LDK, AAK dhe Nisma kanë deklaruar publikisht se nuk do të votojnë për një Qeveri të Vetëvendosjes. (A2 Televizion)
Kosova drejt zgjedhjeve, analistët: Mund të kemi situatë të njëjtë si tani
