Kosova i vendos sanksione Rusisë dhe Iranit

Nga A2 CNN
13 Qershor 2024, 13:05 | Politikë

Kosova i vendos sanksione Rusisë dhe Iranit

Në mbledhjen e radhës së qeverisë, kabineti i kryeministrit Albin Kurti ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, Bjellorusisë dhe Iranit.

Vendimet e fundit të qeverisë vijnë konform rekomandimeve të Këshillit të BE-së dhe SHBA-së për vendosje të masave kufizuese ndaj këtyre vendeve për situatën në Ukrainë.

Zëvendësministrja e MPJD-së, Liza Gashi, shpjegoi se një nga sanksionet ndaj federatës ruse lidhet me vdekjen e liderit opozitar rus, Alexei Navalny

“Në vazhdim të mbështetjes së kundërshtimit të agresionit rus ndaj Ukrainës dhe në përputhje me sanksionet e BE-së dhe ShBA-së, MPJD propozon për shqyrtim dhe miratim vendimet për zbatimin e pakos së 12 dhe 13 të sanksioneve të BE-së, ndaj federatës ruse për cenim dhe kërcënim të integritetit territorial. Sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës dhe sanksione tjera për shkelje të rënda dhe abuzime të rënda me të drejtat e njeriut që lidhen me vrasjen e liderit opozitarë rus, Alexei Navalny. Gjithashtu, edhe pakon e sanksioneve ndaj Iranit gjegjësisht ndaj personave të subjekteve të përfshirë në aktivitetet e raketave bërthamore dhe personave që ofrojnë mbështetje për qeverinë e Iranit”, tha Gashi.

Kosova ka qenë pjesë e shteteve perëndimore që kanë sanksionuar Rusinë për luftën në Ukrainë që kur nisi në vitin 2022. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos