Kryeministri Albin Kurti, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nder të 25-vjetorit të çlirimit, u shpreh se po ashtu si para 25-vjetësh edhe tani, Serbia qëndron e fshehur pas Rusisë.
“Kjo erdhi pas fushatës 78-ditore të bombardimeve të NATO-s mbi Serbi në përpjekje për ta ndaluar spastrimin etnik dhe gjenocidin që shteti serb po e kryente mbi shqiptarët në Kosovë. Të bashkohemi fizikisht e shpirtërisht si sot në Kuvend e sheshet e qyteteve, për të shënuar një ngjarje historike që e ka sjellë të tashmen dhe e ka përcaktuar të ardhmen. Sikur atëherë, edhe tani, Serbia rri e rreshtuar prapa Rusisë”, tha Kurti.
Me tej, ai u shpreh se Kosova kërkon marrëdhënie të mira me fqinjët. “Kosova ka shkuar në vazhdimësi duke forcuar aleancat e saja me vendet partnere. BE-ja është familja jonë e synuar politike, kurse NATO është destinacioni ynë ushtarak. Duam marrëdhënie të mira fqinjësore, e njohje, pa sulme. Kurrë më të lirë e të pavarur nuk kemi qenë”, ka thënë Kurti.
Ndërkohë, presidentja Osmani shtoi se Kosova, sot është një realitet i pakthyeshëm me objektiv të qartë për t’u anëtarësuar në NATO e BE.
“NATO ishte dritë shprese, një shans për drejtësi, liri. Thirrjet e popullit tonë, dëbimi dhe spastrim etnik ishin thirrje për drejtësi. Prandaj në qershor 1999, muret e tiranisë u shembën.
Atë ditë, 38 mijë ushtarë komunikuan me gjuhën globale të lirisë. Atë ditë, Evropa lindi në një Prishtinë të lirë. Do të kujtojmë rezistencën e presidentit Rugova për liri e pavarësi dhe aleancat e fuqishme që krijoi. Do ta kujtojmë heroizmin e komandantit Adem Jashari që u shndërruan në gurthemelin e lirisë.
Do nderojmë kujtimin e të gjithë dëshmorëve. Mijëra familje nuk kanë ku të vendosin lule pasi varret janë të zbrazëta. Sot qëndrojmë në tokën e lirë duke kujtuar historinë e lavdishme. Prania e aleatëve, dëshmi e botës ndaj drejtësisë dhe dinjitetit.
Liria nuk është dhuratë, ne kemi paguar një çmim të lartë për të. NATO në 1999 na dha mbështetje, prandaj ne sot synojmë anëtarësimin në këtë organizatë me ushtrinë tonë e cila është e gatshme”, tha Osmani. (A2 Televizion)