Kryeministri Albin Kurti tha se nuk është kundër serbëve lokalë të Kosovës por ka probleme me Beogradin zyrtar që sipas tij nuk po distancohet nga e kaluara. Ai nuk pranoi të fliste se pse nuk e takoi kryeministrin shqiptar Edi Rama.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se nuk ka problem me serbët lokalë të Kosovës por me Beogradin zyrtar i cili nuk po distancohet nga regjimet autokrate.
Gjatë fjalës së tij në konferencën e Samitit për Ballkanin Perëndimor të organizuar nga The Economist Group, kryeministri tha gjithashtu se Kosova ka bërë një përpjekje të konsiderueshme në forcimin sigurisë dhe demokracisë.
“Problemet që kemi nuk kanë të bëjnë fare me serbët. Problemet që kemi janë me Beogradin që nuk distancua as nga Milosheviçi i të kaluarës e nga Putini i së tashmes. Ky është problemi që kemi. Është me fqinjin tonë verior. Jo si popull por si regjim dhe aspak me serbët e Kosovës në komunat e veriut, të cilët po integrohen.”
Megjithëse dallimet me Beogradin i bëri të qarta, Kurti nuk iu tha gazetarëve se pse nuk e priti në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama një ditë më parë, por duke qeshur tha se raportet i ka të mira.
“Raportet i kam të mira...”
Në Samitin e Ballkanit Perëndimor që u mbajt në Prishtinë mori pjesë edhe ish-kryeministri italian Matteo Renzi, që tha se Bashkimi Evropian duhet të ndryshojë pasi edhe rrethanat gjeopolitike kanë ndryshuar. (A2 Televizion)