Me 73 vota pro, Dimal Basha u zgjodh sot kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, pas 57 seancave të dështuara radhazi, që e futën vendin në ngërç institucional pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Kandidatura e Bashës ishte e pesta e propozuar nga partia fituese e zgjedhjeve, Vetëvendosje dhe ndryshe nga katër të mëparshmit arriti të marrë vota edhe nga partitë opozitare, PDK, AAK dhe LDK.
Në fjalimin e tij të parë nga foltorja si kryetar i Kuvendit, Basha nënvizoi se ky institucion është zemra e demokracisë. Pasi falënderoi edhe kundërshtarët për besimin me votë, ai i ftoi që të punojnë në të mirë të vendit pasi siç tha: “Kosovën e kemi bashkë”.
“Ky institucion është zemra e demokracisë, vendi ku përfaqësohen zërat e të gjithë qytetarëve. Republika jonë është e ndërtuar mbi sakrifica se liria e shtetit, janë më të mëdha se çdo interes. Është e ndërtuar mbi sakrifica, mundin, gjakun e qëndresën e atyre që besuan se e ardhmja e kombit ishte më e rëndësishme se e ardhmja tyre. Një përulje u takon grave, nënave, tona që ofruan dashni e përkushtim, ishin e mbeten themeli i një shoqërie të shëndoshë. Republika jonë është e ndërtuar mbi sakrifica, liria dhe shteti ynë janë më të mëdha se çdo interes i përveçëm. I bindur se ashtu siç ishim bashkë sa herë ka qenë në pyetje kombi ashtu do të qëndrojmë edhe përballë Serbisë, që ka pretendime territoriale ndaj shtetit tone. Jemi për ndërtimin e urave, qofshin ato fizike ashtu edhe në komunikim. Si kryetar i Kuvendit pres të kemi dallime sepse e tillë është demokracia, por pres të bëhemi bashkë kur e kërkon interesi kombëtar. Pres të shoh debat po gjithmonë të udhëhequr drejt një Kosove të fortë”, tha Basha.
Duke tentuar të bëhet unifikues, Basha renditi disa shembuj për të treguar se shqiptarët kanë ditur të bëhen bashkë për të mirën e vendit.
“Bëj thirrje për bashkëpunim e unifikim, në qastet më të vështira populli ka treguar se di të lë anash dallimet për kauza të përbashkëta. Ne kemi Skënderbeun, kemi shembullin e presidentit Rugova që me vizionin e tij dinte të tejkalonte veten. Ky popull u bashkua rreth UÇK-së dhe komandantit të saj Adem Jashari për t’i dale ballë padrejtësive dhe gjenocidit nga regjimi fashist i Millosheviqit. Lufta e Adem Jasharit dhe UÇK-së ishte luftë për liri, edhe sot UÇK-ja ka qenë dhe mbetet e shenjtë në zemrat e atyre që e duan lirinë. Shumica prej nesh dallojmë me parti, por çka secili pret, është që të jemi bashkuar në objektiva si zhvillimi ekonomik, forcimi i shtetit, dhe mbrojtja e sovranitetit”, tha ai. (A2 Televizion)