Pas shumë paralajmërimeve dhe frikës për një përjashtim të mundshëm, Kosova mori pjesë në samitin e Procesit të Berlinit ku së bashku me pesë vendet e tjera nënshkruan edhe deklaratën për një plan veprimi për tregun e përbashkët rajonal, si dhe marrëveshje për përmirësimin e qasjes në arsimin e lartë.
Megjithë pjesëmarrja vlerësohet pozitive, pozicioni i Kosovës shihet si shumë i brishtë duek qenë se iu bë trysni e madhe për të larguar masën për produktet e gatshme serbe e duke ia kufizuar mundësitë pas kompromiseve që iu kërkuan.
“Konsiderojmë që është shumë e domosdoshme që Kosova të jetë pjesë e Procesit të Berlinit, por jo vetëm pjesë e Procesit të Berlinit por vet pjesë e përpjekjeve për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe natyrisht është një pjesë e pandashme e cila duhet më tej të trasojë rrugën për t'u integruar në BE, për të qenë pjesë e proceseve të mëtejshme për të qenë me sovrane dhe më e sigurt drejt rrugëve të tjera”, theksoi Vjollca Hajdari, politologe, Gjermani.
Ndërsa vendimi më i rëndësishëm për Kosovën është se prej datës 1 janar do të lejojë hyrjen e shtetasve të Bosnjes dhe Hercegovinës vetëm me letërnjoftime.
Ky është zbatim i njëanshëm i një marrëveshjeje që ishte nënshkruar në kuadër të Procesit të Berlinit të cilën Kosova e ka miratuar me kohë, mirëpo etniteti serb i Bosnjës e ka bllokuar.
“Në rast se Kosova ka vendosur që të lejohet lëvizja e udhëtarëve nga Bosnja me anë të letërnjoftimeve atëherë e njëjta duhet të vlente edhe për Bosnjën, duhet të kishim një qasje reciproke, por duke ditur se çfarë forcash janë duke vepruar atje atëherë pak a shumë nuk më befason edhe kjo qasja që ka për momentin Bosnja ndaj Kosovës”, u shpreh Hajdari.
Përpos marrëveshjes për lëvizjen me Bosnjën, aktualisht në terren nuk gjejnë zbatim edhe disa marrëveshje të tjera, si ajo për njohjen e diplomave. (A2 Televizion)