Fati i të pagjeturve, gërmimet në Kozhle të Novi Pazarit shtyhen për shkak të shiut

Nga A2 CNN
11 Shtator 2025, 17:40 | Aktualitet

Fati i të pagjeturve, gërmimet në Kozhle të Novi Pazarit

Pavarësisht se ishte planifikuar për sot të fillonin gërmimet në Kozhle të Novi Pazarit, ato janë shtyrë për shkak të reshjeve të dendura të shiut që kanë vështirësuar kushtet për punë në terren, raporton KosovaPress.

Zona ku do të kryhen gërmimet dyshohet se mund të ketë mbetje mortore të viktimave nga lufta e fundit në Kosovë. Gërmimet pritet të nisin nesër, ndërsa planifikimet janë që të përfundojnë brenda dy javësh.

Të mërkurën, anëtarë të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur së bashku me mjekë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore kanë përfunduar inspektimet në Kozhle afër Novi Pazarit ku po dyshohet për varrezë masive.

Mjeku i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Valon Hyseni tha për KosovaPress se kushtet atmosferike, por edhe ato në terren e kanë pamundësuar nisjen e gërmimeve gjatë ditës së sotme.

Ai thekson se terreni është i vështirë për shkak se lokacioni ku dyshohet se është varrezë masive është edhe deponi mbeturinash.

Mjeku ligjor i Institutit të Mjekësisë Ligjore thotë se informacionet preliminare tregojnë se bëhet fjalë për varrezë masive, ndonëse nuk ka shifra të sakta.

Hyseni për KosovaPress thotë se nga vlerësimet e bëra në terren gërmimet në lokacionin e Kozhles do të përfundojnë brenda dy javësh. Ai shtoi se gërmime për gjetjen e të pagjeturve do të vazhdojnë edhe në dy lokacione tjera në Novi Pazar.

Kujtojmë, trupat e rreth 1600 qytetarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë mungojnë, të cilët janë zhdukur me dhunë nga Serbia. Autoritetet shtetërore në Kosovë kanë kërkuar që Serbia të hapë arkivat shtetërore, që sipas tyre, do të ndihmonin në zbardhjen e fatit të të pagjeturve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos