Opozita në Kosovë nuk ka kursyer kryeministrin Albin Kurti dhe Ministrin e mbrojtjes Ejup Maqedonci, sa i përket çështjes së ushqimeve për FSK, në një seancë të jashtëzakonshme këtë të hënë. Kryetari partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, akuzoi kryeministrin se “po e lë ushtrinë pa bukë dhe se është tradhtar e spiun i Serbisë.
“Kurti në mënyrë sistematike, në vazhdimësi e dobëson vendin që drejton. Po i dobëson shtyllat jetike të vendit, ato të sigurisë. Po godet pamëshirshëm Policinë, AKI-në dhe ushtrinë në mënyrat më të ulëta të mundshme dhe po vazhdon të godit. I kam thënë një ditë këtu se është spiun i Serbisë. Është tradhtar ai njeri që e lë ushtrinë e vet pa bukë. Ky njeri e ka lënë ushtrinë e vet pa bukë, pse e bën ky këta? Pse po i ndodh këtij? Pse s’i ndodhi dikujt gjatë ekzistencës sonë që 20 vjet? Të gjitha janë rastësi a? Po bre spiun është, agjentë i tyre, njeriu i tyre. Përndryshe kurrë se kish lënë gjendjen kështu”, tha Haradinaj, raporton A2.
Deputeti i AAK, Bekë Berisha e cilësoi situatën aktuale si tepër shqetësuese, dhe i kërkoi prokurorisë te hetojë çështjen.
“Prokuroria e Shtetit të hetojë dyshimet në FSK”.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, tha se çështja e ushqimit të FSK-së po rrezikon shëndetin e qytetarëve, por edhe operacionalitetin e forcave të sigurisë.
"Çështja e ushqimit të ushtarëve të FSK-së është një sinjali qartë i problemeve të menaxhimit dhe mungesës së përgatitjes afatgjate”, tha Hisen Berisha.
“Ministria e Mbrojtjes duhet të sigurojë që proceset e prokurimit për FSK-në të jenë në përputhje me parimet dhe standardet më të larta të transparencës, konkurrencës së drejtë dhe standardet e NATO-s”, tha Anton Quni i LDK.
Në fund, deputetët e opozitës dolën me një rezolutë tri pikëshe që bën thirrje të zgjidhet çështja e furnizimit me ushqim; të dorëhiqen zyrtarët përgjegjës, dhe që prokuroria e shtetit të hetojë dyshimet për korrupsion. Ajo nuk u hodh dot për votim për mungesë të kuorimit. (A2 Televizion)