Kosova në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të Komunave

Nga Ideal Gola
9 Nëntor 2025, 06:52 | Politikë

Kosova në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë

Kosova mban raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të Komunave. Pas zgjedhjeve të 12 tetorit, në 18 komuna asnjë kandidatë nuk i mori 50%+1 votë për t’u shpallur fitues, duke bërë që dy kandidatët me më së shumti vota të garojnë sërish. Në këto komuna të drejtë vote kanë 1,316,672 qytetarë, ose 543 votues më shumë se në raundin e parë, pasi në listë janë përfshirë të gjithë personat që kanë mbushur 18-vjeç pas datës 12 tetor e deri më sot ndërsa janë larguar personat që kanë ndërruar jetë dhe kanë hequr dorë nga shtetësia, raporton A2 CNN.

Për balotazh, KQZ ka shtypur 1,158,015 fletëvotime apo rreth 16% më pak se numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote. Votimet do të mbahen në 525 qendra votimi, prej të cilave 507 janë qendra të rregullta ndërsa 18 të tjera, nga një për secilën komunë, është qendër e votimit me kusht. Qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 07:00 deri në ora 19:00. Në këtë periudhë kohore Kosova do të jetë në heshtje zgjedhore. Sa i përket partive, Lëvizja Vetëvendosje është në balotazh në 12 komuna, Lidhja Demokratike është në 9 komuna, Partia Demokratike në 6, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në 5 ndërsa edhe tri parti të minoriteteve janë në garë në nga një komunë. Ndryshe nga sjellja e partive në nivel qendror, në komuna, para ditës së balotazhit, të gjitha partitë kanë lidhur marrëveshje koalicioni mes vete varësisht ku iu është dashur mbështetja dhe prej kujt, shkruan A2 CNN.

Vetëm në komunën e vogël me shumicë serbe të Kllokotit, Bozidar Dejanovic i Listës Serbe e ka të sigurt fitoren pasi kundër kandati i tij, Srecko Spasiç nga partia Srpska Narodna Slloga është tërhequr nga gara. Vëmendja më e madhe mbetet në 6 qytetet kryesore. Në Prishtinë, kryetari aktual, Përparim Rama, që garon me Lidhjen Demokratike ka përballë ministrin në detyrë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çekun e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në Prizren gara është mes kryetarit aktual Shaqir Totaj të PDK-së me kandidatin e LVV, Artan Abrashi. Në Gjilan, Alban Hyseni i LVV, kryetar aktual, është në garë me Arber Ismailin e LDK-së.

Në Gjakovë, kryetari aktual Ardian Gjini i AAK-së ka përball kandidatin e LVV, Ardian Gola. Në Pejë, kryetari aktual Gazmend Muhaheri i LDK-së sfidohet nga kandidati i LVV, Taulant Kelmendi.

Në Mitrovicë, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, si kandidat i LVV garon me kandidatin e PDK, Arian Tahiri.

Në komuna të tjera më të vogla: Në Dragash, Bexhet Xheladini i LDK është në garë me Shaban Shabanin e PDK; Në Kaçanik, Sabedin Vishi i PDK është në garë me Jeton Rakën nga LVV; Në Klinë, Zenun Elezaj i AAK është në garë me Sokol Bashotën e PDK; Në Fushë Kosovë, Valon Prebreza i LVV është në garë me Besnik Osmanin e LDK; Në Obiliq, Xhafer Gashi i LDK është në garë me Halil Thaçin e LVV.

Në Rahovec, Smajl Latifi i AAK është në garë me Ali Dulën nga radhët e LVV; Në Suharekë, Bali Muharremaj i AAK është në garë me Ardian Shalën e LDK; Në Viti, Sokol Haliti i LDK është në garë me Arsim Ademin e LVV.

Në Vushtrri, kandidati i PDK, Ferit Idrizi është në garë me Sylejman Mehollin e LVV; Në Junik, kandidati i LDK, Ruzhdi Shehu ka përball kandidatin e AAK, Agron Kuçi; Në Mamushë, Abdulhadi Krasniç nga KDTP është në garë me Fikret Morinën nga Mamusha Halk Hareketi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos