Kosova do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Pas dështimit për të mandatuar qeverinë e re me Glauk Konjucën si kryeministër, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani duhet të përcaktojë datën për zgjedhjet e reja.
Presidentja e Kosovës pas mandatimit të Konjufcës për kryeministër më 4 nëntor, kishte thënë se ky i fundit e kishte bindur se kishte gjasa t’i siguronte votat për qeverinë e re, pavarësisht se nuk i kishte garantuar me 61 nënshkrime të deputetëve për një gjë të tillë.
Por, në seancën e së mërkurës, Konjufca mori vetëm 56 vota të deputetëve nga 61 të nevojshme për të formuar qeverinë e re. Kuvendi nuk zgjodhi qeverinë e re, u shpreh Basha.
“Me 56 vota për, 53 vota kundër si dhe katër abstenime, Kuvendi nuk zgjodhi qeverinë e Kosovës”, tha kryeparlamentari Basha.
LVV-ja edhe më 26 tetor ka dështuar të formojë qeverinë e re me mandatar për kryeministër liderin e partisë, Albin Kurti.
Mandatari për kryeministër, Glauk Konjufca ka deklaruar se do të ishte arrogancë nëse vendi të shkonte në zgjedhje të reja. Konjufca tha se viti 2025 do të mbahet mend për përpjekjet për themelimit të institucioneve të vendit, raporton KosovaPress.
“Me këtë animuzitet në spektrin tonë politik vështirë që do të arrijmë edhe një konsensus për zgjedhjen e presidentit në mars. Pa një qeveri të re vendi ynë e ka të sigurt vetëm një gjë thellimin e krizës aktuale. Përmes themelimit të kësaj qeverie sot synojmë disa gjëra bazike për shtetin tonë së pari synojmë ta kursejmë Kosovën nga dy palë zgjedhje eventuale do të ishte arrogancë ta çonim vendin tonë e drejtë në zgjedhje. Patëm zgjedhje në shkurt pastaj dy runde të zgjedhjeve në tetor dhe nëntor tash nëse shkojmë në zgjedhje të reja në dhjetor kush na garanton që do t’i shmangim edhe ato në mars...për qytetarët tanë është rraskapitëse, për KQZ një sfidë që kurrë nuk e ka provuar është e pa precedent e për taksa e popullit edhe 8 milionë euro pa arsye”, tha ai.
Konjufca tha se LVV për të shmangur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare ka ndërmarrë tre hapa, ai theksoi se nëse sot nuk votohet ai si kryeministër pashmangshëm vendi do të shkoj në zgjedhje të reja. Madje, ai tregoi edhe çështjet urgjente që do t’i trajtojë nëse arrin të formohet qeveria.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka thënë se presidentja Vjosa Osmani duhet që sa më parë të shpall datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Pas dështimit të formimit të Qeverisë Konjufca, ai tha para mediave se nuk ka kohë për t’u humbur dhe se vendi ka nevojë për institucione legjitime dhe funksionale. (A2 Televizion)
