Kosovë, Gjykata Kushtetuese shfuqizon ligjin për Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme

Nga Ideal Gola
9 Janar 2026, 16:56 | Politikë

Kosovë, Gjykata Kushtetuese shfuqizon ligjin për Verifikimin e

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shfuqizuar Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe 12 ligje të tjera të miratuara në seancën e Kuvendit më 5 dhjetor 2024, për shkak të shkeljeve procedurale.

Me pesë vota pro dhe dy kundër, Kushtetuesja ka rrëzuar vendimet e Kuvendit të Kosovës, duke konstatuar se ligjet ishin miratuar pa respektuar afatet e përcaktuara nga Rregullorja e Kuvendit dhe pa asnjë gjendje të jashtëzakonshme që do ta justifikonte këtë veprim.

Ligji për Byronë ishte miratuar në të dy leximet brenda së njëjtës ditë, në kundërshtim me rregullin që parashikon një afat minimal prej 72 orësh mes leximit të parë dhe të dytë. Ankesa në Kushtetuese ishte parashtruar nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila kishte kontestuar procedurën e ndjekur. Ky ligj parashihte që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë të mund t’i nënshtrohen verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë në rast dyshimi për prejardhjen e saj.

Kjo është hera e dytë që Ligji për Byronë rrëzohet nga Kushtetuesja, pasi ishte shpallur i pavlefshëm edhe më 29 korrik 2024, pas miratimit të tij në shkurt të vitit 2023.

Përveç Ligjit për Byronë, Gjykata Kushtetuese përmes një vendimi tjetër ka shfuqizuar edhe ligjet për Shërbimet e Pagesave, luftimin e dukurive negative në sport, parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, provimin e maturës shtetërore, banimin social dhe të përballueshëm, kontabilitetin, raportimin financiar dhe auditimin, sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, Prokurorinë Speciale, Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, financimin e menaxhimit të resurseve ujore, Inspektoratin Qendror të Mjedisit dhe Ligjin për Lojërat Mesdhetare.

Në të njëjtin vendim, si në përputhje me Kushtetutën janë vlerësuar Ligji për Bankat, Ligji për Inspektoratin Qendror të Mbikqyrjes së Tregut dhe Ligji për Gjykatën Administrative. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos