KQZ nuk certifikoi Listën Serbe për zgjedhjet lokale, reagojnë ambasadorët e Quint-it dhe BE-ja

Nga A2 CNN
22 Gusht 2025, 17:56 | Politikë

KQZ nuk certifikoi Listën Serbe për zgjedhjet lokale, reagojnë

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, së bashku me Zyrën e BE-së në Kosovë, kanë reaguar pas moscertifikimit nga KQZ-ja e Kosovës të Listës Serbe në zgjedhjet lokale. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat ata “shprehin shqetësimin e tyre në lidhje me përpjekjet e aktorëve politikë për të kufizuar konkurrencën midis partive politike që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë përpara zgjedhjeve të ardhshme lokale më 12 tetor”.

Sipas tyre, “çdo akt i tillë për të përjashtuar komunitete të caktuara minon parimet demokratike dhe gërryen besimin në institucionet e Kosovës”.

Ata i bëjnë thirrje qeverisë dhe partive politike të të përmbahen nga hapat e mëtejshëm që mund të pengojnë regjistrimin e partive.

“Të gjitha procedurat duhet të kryhen në përputhje të rreptë me rregullat dhe mandatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në të njëjtën kohë, ne i inkurajojmë palët e prekura të shfrytëzojnë plotësisht Panelin e Ankesave dhe Parashtresave Zgjedhore për të kërkuar dëmshpërblim”, thuhet në deklaratë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos