Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, deklaroi se opozita në Kosovë “qartazi e kishte ndarë mendjen për ta çuar vendin në zgjedhje”.
Në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, Rrustemi u shpreh: “I ofruam së fundmi që PDK dhe LDK ta propozojnë vetë Presidentin. Më tej, nxorëm një kandidate të denjë, krejtësisht konsensuale, pa lidhje me politikën, doktoreshë Rushitin, por edhe ajo u refuzua. Opozita qartazi e kishte ndarë mendjen për ta çuar vendin në zgjedhje, si një strategji për ta kufizuar qeverisjen e Vetëvendosjes, qoftë në kohë, qoftë në mandat të plotë, duke provokuar zgjedhje të njëpasnjëshme”.
“Vetëvendosje ka bërë gjithçka që ishte e mundur, por vullnetin e munguar te opozita ne nuk e kultivojmë dot”, shtoi Rrustemi.
(A2 Televizion)