Miratimi i buxhetit për vitin e ardhshëm dhe miratimi i Marrëveshjeve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Planin e Rritjes shihen si dy çështjet kryesore që duhet të adresohen nga Kuvendi i Kosovës para shpërndarjes eventuale. Për këtë arsye, 21 organizata i janë drejtuar presidentes Vjosa Osmani për një ndërmjetësim politik për t’i dhënë zgjidhje këtyre dy çështjeve.
Nëse Qeveria nuk arrin të dorëzojë Ligjin për Buxhet deri në fund të këtij muaji dhe Kuvendi nuk arrin të miratojë atë deri në fund të vitit, atëherë mund të shfrytëzohet një pjesë e buxhetit të këtij vitit deri në muajin shkurt. Pas skadimit të kësaj periudhe, nëse Kuvendi aktual nuk autorizon një zgjatje deri në muajin mars të vitit vijues, siç lejon ligji, atëherë asnjë organizatë buxhetore nuk mund të autorizojë shpenzime, përveç pagesave për borxhin publik.
Një situatë e tillë do të paralizonte pagesat për pagat e mësimdhënësve, mjekëve, administratës publike, për transferet sociale të qindra mijëra qytetarëve të Kosovës, realizimin e punëve publike, dhe më shumë.
“Në bazë të praktikave shteti mund të funksionojë gjatë muajit janar dhe shkurt të vitit pasues me 1/12 të buxhetit të vitit paraprak, të vitit 2025 nëse nuk kemi Kuvend dhe Qeveri të formuar atëherë në mars të vitit të ardhshëm nuk mundet të kryhet asnjë pagesë nga asnjë institucionet, pagat nuk mund të dalin në sektorin publik, nuk mund të kryhen shërbime për qytetarët, nuk mund të shpenzohet asnjë cent nga buxheti i Republikës së Kosovës”, deklaroi Ehat Miftaraj nga IKD.
Si rrjedhojë e bllokadës institucionale Kosova është vendi i vetëm në rajon që ende nuk i ka ratifikuar Marrëveshjet me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes. Kjo po pamundëson arkëtimin e parapagesës dhe disbursimin e këstit të parë për masat e zbatuara sipas kësaj marrëveshjeje.
“Ne e dimë që këto fonde janë në afat skadence që nënkupton që nëse në vitin 2024, 2025 vetëm po dështojnë të ratifikohet këtë marrëveshje është mëse e qartë që Kosova nuk do të jetë në gjendje t’i marr 882 milionë euro por ndoshta një shumë më të vogël nëse arrin të themi që ratifikimi do të bëhet gjatë fundit apo fillimit të vitit të ardhshëm” shprehet Ehat Miftaraj nga IKD.
Po ashtu, është edhe një shumë e konsiderueshme mbështetje për vendin që vijnë nga marrëveshjet bilaterale të cilat gjithashtu nuk janë miratuar.
“Kosova ka një numër të madh të marrëveshjeve bilaterale që janë duke pritur me Bankën Botërore, me Gjermaninë, me Francën, me Zvicrën, me shtete të tjera nëse nuk gaboj janë afërsisht 1.5 miliardë euro marrëveshje ndërkombëtare që janë ndihmë, asistencë ose kredi të buta për Republikën e Kosovës në fusha të ndryshme të energjisë, ambientit, drejtësisë e çështje të tjera”, thotë Ehat Miftaraj nga IKD.
Si pasojë e mungesës së një Kuvendi funksional dhe një Qeverie me mandate ligjor, janë 33 institucione apo agjenci të pavarura që kanë mbetur pa kuorum, janë pa mbikëqyrje apo janë në prag të jofunksionalitetit për shkak të skadimit të mandateve.
(A2 Televizion)
