Është përshkallëzuar situata pranë Ministrisë së Arsimit, pasi disa protestues të maskuar kanë nisur të hedhin gurë në drejtim të efektivëve të policisë dhe godinës së ministrisë.
Sipas raportimeve të gazetarëve të A2 CNN nga terreni, një grup të rinjsh ka shkulur pllakat e trotuarit, i ka thyer në copa dhe më pas i ka hedhur drejt policisë.
Në përgjigje, efektivët kanë përdorur autobotët me ujë me presion, fillimisht për të shuar kazanët e mbeturinave që po digjeshin dhe më pas për të frenuar protestuesit.
Në terren janë parë edhe forca të FNSH-së me pajisje kundër gazit lotsjellës, ndërsa një autobot i dytë është afruar në zonë. Deri në momentin e raportimit, policia nuk kishte përdorur gaz lotsjellës.
Gazetarët raportojnë se aktet e dhunës po kryhen nga një grup prej rreth 100 personash, kryesisht të rinj të maskuar, ndërsa pjesa tjetër e protestuesve vijon të qëndrojë më në distancë dhe të bëjë thirrje kundër qeverisë.
Përplasjet kanë ndryshuar panoramën e protestës, e cila deri pak më parë ishte zhvilluar në mënyrë paqësore. (A2 Televizion)