“Pa Kurtin kryeministër", Konjufca: VV e bëri kompromisin e saj të madh, tani radha e ish-opozitës

Nga A2 CNN
4 Nëntor 2025, 17:02 | Politikë

“Pa Kurtin kryeministër", Konjufca: VV e bëri kompromisin e

Për herë të dytë, Lëvizja Vetëvendosje po tenton që të krijoj qeverinë, kësaj radhe me mandatar për kryeministër Glauk Konjufcën. Mandatari nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, pas propozimit për mandatar nga kryetari i LVV-së, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij tha se Vetëvendosja e bëri kompromisin e vet duke propozuar një qeveri ku kryeministër nuk është Albin Kurti, e tash sipas tij, radhën për kompromis e ka ish-opozita.

Konjufca, tha se ky propozim ku në krye nuk është Kurti, është një kompromis shumë i madh për Lëvizjen Vetëvendosje, duke theksuar se më shumë se kaq nuk kanë mundësinë.

“Unë e di që në çdo shtet serioz, i zhvilluar pozita dhe opozita arrijnë të ndërtojnë disa qëllime të përbashkëta për hir të interesit të përgjithshëm të qytetarëve dhe vendit, pikërisht tash, ky është momenti në Kosovë. Vetëvendosja po bën kompromisin e vet, më shumë se kaq nuk ka mundësi. Ne po propozojmë një qeveri ku nuk është kryeministër Albin Kurti dhe ky është një kompromis shumë i madh për LVV, tash e ka radhën opozita për kompromisin e vet”, tha Konjufca.

Tutje, Konjufca tha se me përulje e pranon këtë detyrë, për të qenë shërbëtor i interesit publik, për të votuar buxhetin për vitin 2026 dhe për të shmangur dy palë zgjedhje të mundshme brenda tre muajsh.

“Me përulje dhe obligim më duhet ta pranoj këtë nominim të Këshillit të Përgjithshëm për mandatar kryeministri, këtë e bëjë si thirrje nga detyra, e cila na shndërron në shërbëtor të interesit publik. Cili është interesi më i thellë i popullit dhe shtetit tonë në situatën në të cilën ndodhemi. Lëvizja Vetëvendosje e ka definuar këtë në dy shtylla në rrethana aktuale. Së pari shmangia e dy palë zgjedhjeve të mundshme brenda tre muajsh dhe së dyti votimin e buxhetit për vitin 2026 pa të cilin rrezikohen dimensionet vitale të qytetarëve tanë”, tha Konjufca.

Ai iu drejtua edhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti, me disa fjalë.

Konjufca i tha se sipas tij problemi është se aq sa ka gëzuar popullin, në të njëjtën masë ka nxitur frikë te kundërshtarët politikë, të cilët sipas tij u bashkuan që të pamundësojnë krijimin e Qeverisë Kurti 3.

Konjufca ftoi të gjithë partitë politike që të votojnë Qeverinë me mandatar të ri. Më 26 tetor në një seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, pati dështuar formimi i Qeverisë Kurti 3, me mandatar Albin Kurti. Kosovapress (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos