Pas takimeve të ndara me Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku, kryeministri Albin Kurti shprehet optimist se mund të gjendet një zgjidhje për presidentin. Takimet e para hapën negociatat për presidentin, por pa një emër konkret dhe pa 80 votat e garantuara në Kuvend. Kosova ka hyrë në javën vendimtare për zgjedhjen e presidentit. Më pak se nëntë ditë e ndajnë Kuvendin nga afati kushtetues i 4 marsit dhe, nëse deri atëherë nuk sigurohen 2/3 e votave, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.
Pas takimeve të ndara me kryetarin e Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bedri Hamza, dhe atë të Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, lideri i Lëvizja Vetëvendosje, njëherazi kryeministër Albin Kurti, tha se nuk ka një kandidat, por u shfaq optimist se mund të gjendet një zgjidhje. Ky optimizëm, tha ai, i vjen nga fakti se liderët opozitarë e kuptojnë situatën dhe se tri partitë më të mëdha duan të shmangin zgjedhjet, shkruan A2 CNN.
“Nuk shoh zell për zgjedhje të reja. Pra, gatishmëria natyrisht që ekziston edhe te PDK-ja edhe te LDK-ja, nëse duhet të shkojmë në zgjedhje të reja; edhe Vetëvendosja, ne shkojmë në zgjedhje të reja. Por zell për zgjedhje të reja nuk shoh dhe kjo është gjithashtu një e përbashkët që e kemi, dhe këto elemente më bëjnë optimist”, tha Albin Kurti.
I pyetur për mundësinë e një mandati tjetër për presidenten aktuale Vjosa Osmani, Kurti theksoi se mazhoranca ka 66 deputetë dhe se nxjerrja e një kandidati pa siguruar paraprakisht votat e nevojshme do të ishte e pakuptimtë. Ai shtoi se edhe një kombinim i votave të Vetëvendosjes me 15 deputetët e LDK-së do të prodhonte një shumicë minimale dhe të brishtë.
“Kot ne mund të nxjerrim kandidat, ndërkohë që dy subjektet e tjera thanë që nuk i kanë as 30 për nënshkrime, sepse 30 është minimumi për propozimin. Kurse ne këtë mund ta bëjmë kollaj. Ne mund të bëjmë edhe dy kandidatë, por 66 është larg numrit 80”, tha Kurti.
Nga ana tjetër, Abdixhiku e cilësoi takimin konstruktiv dhe përmbajtësor, por theksoi se, nën presionin kohor, opsionet janë të kufizuara.
“Dakordimi i përgjithshëm është se janë vetëm dy rrugë përpara: e para, duhet ose konsensus politik mes faktorëve të vendit, dhe ky konsensus duhet të ndërtohet në këto 9 ditë të ardhshme, ose duhet një marrëveshje klasike politike mes partive për çështjen e presidentit”, tha Abdixhiku.
Kreu i LDK-së sqaroi edhe çfarë nënkupton me marrëveshje politike, duke mohuar përfshirjen edhe në Qeveri.
“Marrëveshje politike nënkupton dakordim për çështjen e presidentit. Në këtë fazë nuk besoj se kemi interes, as nuk ka interes në atë drejtim; gjithçka është e hapur brenda marrëveshjes politike dhe konsensusi është i natyrshëm”, tha Abdixhiku. (A2 Televizion)