Presidenti i ri i Kosovës, Kurti pret në takim kryetarin e PDK Bedri Hamza

Nga A2 CNN
22 Shkurt 2026, 19:33 | Politikë

Presidenti i ri i Kosovës, Kurti pret në takim kryetarin e PDK Bedri

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot priti në takim Kryetarin e PDK-së dhe deputetin e Kuvendit, Bedri Hamza.

“Kryeministri Kurti falënderoi Kryetarin Hamza për bashkëpunimin në Kuvend me rastin e votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Kryetari Hamza shprehu gatishmërinë për koordinim parlamentar për çështje të interesit shtetëror e kombëtar”, thuhet në një njoftim të Kurtit në Facebook.

“U diskutua për zhvillimet politike në vend e më gjerë dhe nevojën për të hapur një kapitull të ri të komunikimit dhe dialogut konstruktiv qeveri-opozitë në të mirë të Republikës sonë dhe pluralizmit partiak e demokratik. Natyrisht, temë e bisedës ishte edhe çështja e zgjedhjes së Presidentit për çfarë kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë kohë në bazë të afateve kushtetuese. U konstatua që bashkëpunimi është i nevojshëm, duke qenë se duhen së paku 2/3 e deputetëve të Kuvendit për votim të suksesshëm. Kryeministri Kurti nesër do të takojë Kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku”.

Një koment për këtë takim pati edhe vetë Hamza. “Zgjedhja e Presidentit nuk është çështje vetëm e një partie, por e të gjithë neve si përfaqësues të zgjedhur të popullit. Për këtë arsye, sot iu përgjigja pozitivisht ftesës së z. Kurti për të diskutuar për zhvillimet politike dhe procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit”, shkroi ai në Facebook.

“Si subjekt politik opozitar, nuk kemi qenë dhe nuk jemi pengesë e proceseve shtetërore, por as nuk mbështesim kandidatura që nuk përfaqësojnë unitetin qytetar, sipas frymës kushtetuese. Uroj që të ketë reflektim nga ata që e kanë përgjegjësinë kushtetuese për të propozuar kandidatura me mbështetje të gjerë, duke shmangur kalkulimet afatshkurtra partiake. Stabiliteti institucional është jetik dhe duhet të trajtohet si i tillë. Për ne, interesi shtetëror është mbi çdo kalkulim politik dhe këtë standard e mbrojmë me vendosmëri”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos