“Shtëpia e Verdhë s’ka ekzistuar kurrë!” Kurti me deklaratë të rrallë, Konjufca në Hagë: Lufta jonë ishte e pastër

Nga A2 CNN
18 Shkurt 2026, 16:12 | Politikë

Politika në Kosovë është solidarizuar si rrallëherë në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së, gjyqi kundër të cilëve në Dhomat e Specializuara të Hagës ka hyrë në ditët e fundit.

Pas mesazheve të forta në mbrojtje të luftës së UÇK-së, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë, kryeministri Albin Kurti iu rikthye edhe sot çështjes, teksa publikoi në rrjetet sociale një pjesë nga fjala e tij në Konferencën e Dytë Shkencore Ndërkombëtare të Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, “Nga lufta në rimëkëmbje”.

Si rrallëherë, ai u ndal te pretendimet për të ashtuquajturën “Shtëpi e Verdhë” në Shqipëri, duke deklaruar se ajo nuk ka ekzistuar kurrë si vend për trafikim organesh nga pjesëtarë të UÇK-së.

“Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e domosdoshme, për liri dhe mbijetesë, jo nga dëshira për dhunë apo pushtet. Ajo ishte përgjigje ndaj një regjimi shtypës, ndaj represionit sistematik deri në aparteid dhe mohimit të të drejtave themelore të popullit tonë, deri në gjenocid. E ashtuquajtura ‘Shtëpi e Verdhë’ në Shqipëri nuk ka ekzistuar kurrë si vend për trafikimin e organeve nga pjesëtarë të UÇK-së, por është pjesë e narrativës hibride të Serbisë kundër UÇK-së dhe Shqipërisë, e iniciuar nga deputeti rus Konstantin Kosachev më 15 prill 2008, pra as dy muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, u shpreh Kurti.

Kurti vijoi më tej se një gjykatë speciale do të duhej të angazhohej për të hetuar krimet e të ashtuquajturës “Sarajevo Safari”, ku ka raportime për përfshirjen e presidentit Vuçiç.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Glauk Konjufca, nga Haga, ku ndoqi nga afër deklaratat përmbyllëse, tha se është i bindur që verdikti final i këtij procesi do të jetë lirimi i ish-krerëve të UÇK-së. Sipas tij, procesi konfirmoi se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e pastër.

“Ne e patëm kritikën tonë gjithmonë për këtë gjykatë se ishte gjykatë njëetnike dhe fokusin e kishte padrejtësisht në UÇK-në, dhe unë jam këtu për të konfirmuar edhe njëherë se lufta jonë, lufta e popullit të Kosovës, ishte luftë e drejtë, ka qenë luftë e pastër, ka qenë luftë mbrojtëse. Nuk ka qenë qëllimi i kësaj lufte sulmi i asnjë populli tjetër. Targeti i vetëm i uniformave të UÇK-së ishte policia dhe ushtria serbe, njerëzit e uniformuar okupatorë që bënë gjenocidin në Kosovë, që vranë fëmijë e gra e pleq dhe që i mbytën mbi 12 mijë qytetarë të Republikës sonë.

Këtë të vërtetë nuk ka asnjë institucion që mund ta ndryshojë, asnjë gjykatë. Ajo çka po përpiqet të ndodhë brenda kësaj gjykate është shtrembërimi i historisë, sepse edhe baza mbi të cilën u ndërtua kjo gjykatë, që është raporti i Dick Martyt, doli një raport me plot të pavërteta për trafikim të organeve nga UÇK-ja dhe mbi këtë bazë u ndërtua kjo gjykatë”, tha ai.

Ai e cilësoi gjykimin e tejzgjatur si shkelje brutale të së drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm dhe përmendi faktin se personi që qëndron pas akuzave kundër ish-luftëtarëve të UÇK-së, Jack Smith, sipas tij ka probleme me drejtësinë në SHBA. Akuzat, sipas Konjufcës, janë gënjeshtra të paqëndrueshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos