Kurti-Vuçiç përballen në Bruksel, BE konfirmon takimin trepalësh me Borrell

Nga A2 CNN
24 Qershor 2024, 20:02 | Politikë

Bashkimi Europian ka konfirmuar se përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme, Josep Borrell do të presë në një takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, më 26 qershor në Bruksel.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre. Përfaqësuesi i lartë Borrell dhe i dërguari i posaçëm, Mirosllav Lajçak, do të kenë takime të ndara me liderët duke nisur nga ora 15:00, për të pasuar me një takim të përbashkët trepalësh. Takimi do të shërbejë për të vlerësuar atë që është arritur në dialog nën udhëheqjen e përfaqësuesit të lartë dhe do të fokusohet në rrugën përpara”, u tha në një njoftim të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE.

Shefi i diplomacisë së bllokut, Borrell pritet të deklarohet për mediat, pas takimit të së mërkurës.  Javën e kaluar, qeveria e Kosovës, tha se bisedimet e 26 qershorit do të kenë në fokus kryesor zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve. Sakaq, zëdhënësi Peter Stano tha për Tanjug, se në takim do të flitet për të gjitha çështjet urgjente. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos