Serbia kërcënon Kosovën përmes lëvizjeve ushtarake dhe fluturimit të avionëve të luftës në kufi. Është kjo ankesa e paraqitur nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tek Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara për Europën, Azinë Qendrore dhe Amerikën, Miroslav Jença.
Zyrtari i OKB-së po zhvillon një tur ballkanik dhe ndalesa e radhës pas Beogradit, ishte Prishtina. Bëhet e ditur se Bislimi e njoftoi Jençan për situatën në vend dhe rajon, objektivat e qeverisë dhe arritjet e viteve të fundit. Por nënvizon faktin se Serbia mbetet një pengesë për përparim dhe kërcënim ndaj Kosovës.
“Mbi qasjen destruktive dhe kërcënimin e vazhdueshëm që Serbia paraqet për Kosovën, zëvendëskryeministri rikujtoi se, fqinji ynë verior ka 48 baza të përparme operacionale përreth kufirit me Kosovën, në vazhdimësi mban ushtrime e stërvitje të mëdha ushtarake pak kilometra larg kufirit me shtetin tonë dhe fluturon avionët luftarakë MIG 29 përreth kufirit”, tha Bislimi.
Zëvendëskryeministri theksoi synimin e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Bislimi diskutoi me zyrtarin e OKB-së dhe për procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian, duke vënë theksin tek qasja konstruktive e Kosovës dhe pengesat e shumta nga ana e Serbisë për të ecur përpara me zbatimin e marrëveshjeve. (A2 Televizion)