Lidhja Demokratike e Kosovës deklaroi se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian e kanë dëmtuar rëndë imazhin e Republikës së Kosovës si dhe ka ndikuar në pezullimin e projekteve në vlerë miliona euro.
Nënkryetarja e kësaj partie, Hykmete Bajrami, bëri përgjegjës qeverinë që vendit i duhet të vijojë të jetë nën masa pasi brenda BE-së nuk pati vullnet për t’i larguar ato menjëherë.
“Natyrisht ne bëjmë thirrje që të largohen këto masa sepse në një farë mënyrë po ndëshkohen qytetarët e Kosovës të cilët aspak nuk kanë faj për këtë situatë ku gjendemi, por gjithsesi përgjegjëisa më e madhe i takon Qeverisë së Republikës së Kosovës e cila ka sjellë një situatë të tillë”, tha nënkryetarja e LDK, Bajrami.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi një ditë më parë tha se masat ia kanë vlejtur pasi është shtrirë sovraniteti në veri.
Mirëpo, me këtë konstatim nuk pajtohen në LDK që thonë se këto janë vlerësime që i bën Lëvizja Vetëvendosje për të kënaqur veten.
“Unë besoj ia kanë vlejtur vetëm për z.Bislimi, ndërkohë që po t'i pyesni qytetarët theyrja e aleancave nuk ka asnjë çmim që ia vlen sepse situata në veri nuk është përmirësuar në fakt na kemi degradim të situatës në veri, ata mund të vetëkënaqen dhe mund të bëjnë vlerësime sipas mendimit të tyre mirëpo atje gjithçka që është punuar për më shumë se 20 vite tanimë pothuajse jemi kthyer në pikën zero, kështu që nuk ia ka vlejtur”, shtoi Bajrami.
Këto deklarata, Bajrami i bëri pas tryezës që LDK kishte organizuar për të prezantuar programin e saj për shëndetësi. (A2 Televizion)
“Gjendja në veri e rëndë”, LDK i kundërpërgjigjet Bislimit: Masat ia kanë vlejtur vetëm për ty
