Kuvendi i Kosovës miraton buxhetin, opozita bojkoton seancën

Nga Ideal Gola
21 Nëntor 2024, 17:13 | Politikë

Kuvendi i Kosovës miraton buxhetin, opozita bojkoton seancën

Pa votat e opozitës dhe pa mbështetjen e 122 amendamenteve të tyre, mazhoranca e vetme miratoi në Kuvend me 61 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, buxhetin për vitin 2025 në vlerë mbi 3.6 miliardë euro.

PDK, LDK dhe AAK pasi bënë thirrje të tërhiqet projektligji pasi po bëhen shkelje të rënda kushtetuese, lëshuan edhe seancën.

Partia Demokratike përmendi shmangien e procedurave për shqyrtimin në kohën e duhur të buxhetit në Kuvend ndërsa pati pakënaqësi edhe me grantet bujqësore.

“Ky është buxhet i kontaminuar, ky është buxhet i cili mbështet skema kriminale prandaj mendoj se ky buxhet do të duhet t’i nënshtrohet edhe një herë diskutimi të thellë dhe jo në afate të përshpejtuara”, Abelard Tahiri, shef i grupit të PDK.

Lidhja Demokratike tha se me projektligjin për buxhetin po preken edhe dy ligje të tjera për të cilat ka një interpretim nga Gjykata Kushtetuese.

“Me Ligjin për ndarjet buxhetore që është ligj i karakterit vjetor tentohet që të ndryshohet Ligji për pagat e zyrtarëve publikë dhe po ashtu tentohet të ndryshohet edhe Ligji për tatimin në pronë të paluajtshme”, tha Arben Gashi shef i grupit të LDK.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës akuzoi mazhorancën se nuk ka shqyrtuar as kërkesat e komunave të Rahovecit, Gjakovës dhe Deçanit, të cilat ajo i drejton.

“Procedura sesi ka ardhur buxheti i vitit 2025 në leximin e dytë të Kuvendit të Kosovës e them me përgjegjësinë më të lartë të deputetit është procedura e cila do të turpërojë përgjithmonë jetën parlamentare”, tha Besnik Tahiri, shef i grupit të AAK.

Të gjitha pretendimet për shkelje i ka hedhur poshtë Lëvizja Vetëvendosje. Armend Muja, deputet dhe kryetar i Komisionit parlamentar për Buxhet i kërkoi Kuvendit miratimin e buxhetit.

“Komisioni për Buxhet ka rekomanduar që të miratohet projektligji mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025 me amendamentet e propozuara nga komisioni, qofshin ato tekstuale edhe ato tabelare”, tha Armend Muja, deputet, LVV.

Gjithsej, Kuvendi shqyrtoi 128 amendamente në një seancë që zgjati rreth 5 orë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos