Ish-zëvendësndihmës sekretari i shtetit, Thomas Countryman, ka fajësuar Prishtinën dhe Beogradin për mungesën e progresit në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Europian.
Gjatë Konferencës për Siguri në Beograd, Countryman që në vitin 2011 kur ka nisur dialogu ka qenë i ngarkuar me Ballkanin, tha se nuk mund të pritet që presidenti i zgjedhur Donald Trump të zgjidhë nyjën e dialogut, shkruan A2.
“Besoj fuqishëm që Beogradi dhe Prishtina kanë marrë shprehi që të fajësojnë Brukselin dhe ndonjëherë edhe Uashingtonin për paaftësinë për të ecur përpara. Këndvështrimi im është që ne kemi dy qeveri që janë më shumë të shqetësuara për të mbajtur shumicën e tyre se sa të bëjnë progres qoftë në dialog ose drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Presidenti i ri i SHBA-së nuk mundet befas t’ua jap të dy këtyre qeverive vullnetin e nevojshëm për të bërë progres”, tha Thomas Countryman, ish- zv.ndihmës Sekretar i Shtetit.
Ish-zyrtari i lartë amerikan mendon se dialogu duhet të ishte i mbyllur tashmë por shton se me qasjen që kanë të dy vendet ndaj procesit nuk sheh që normalizimi i raporteve të ndodhë shpejtë.
“Sigurisht që është koha që të përmbyllet dialogu. Ajo kohë ishte 5 vite më parë. Nuk shoh se do të përfundojë shpejt dhe nuk mendoj që as qeveria e Serbisë e as e Kosovës nuk duhet të shpresojë në një zgjidhje të shpejt në duart e administratës së re amerikane”, u shpreh Thomas Countryman, ish- zv.ndihmës Sekretar i Shtetit.
Countryman, që ka shërbyer edhe si ambasador amerikan në ish-Jugosllavi, thotë se Bashkimi Europian duhet të ketë një pozicion unik kur është fjala për Kosovën pasi pesë shtetet mosnjohëse shpesh kanë qëndrime të ndryshme edhe për mënyrën si e shohin edhe dialogun.
“Kam qenë në dhomë në fillim të dialogut më 2011 dhe më kujtohet mirë. Është bërë pak progres por ka munguar vullneti i duhur nga të dyja palët në implementimin e marrëveshjeve të arritura. Sërish, nuk shoh që zgjedhjet në BE e ndryshojnë këtë. Është e nevojshme që BE-ja të bëhet më e unifikuar në këtë çështje dhe kjo përfshinë që të marrë pozicion më përgjegjës për ato shtete anëtare të BE-së që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Kjo është e rëndësishme”, tha Countryman.
Thomas Countryman që aktualisht është kryetar i bordit të Shoqatës së Kontrollit të Armëve në SHBA thotë se në Ballkanin Perëndimor gjithmonë ekziston rreziku i dhunës, por që konsideron se kërcënimi i përdorimit të dhunës si mjet i negociatave është i papranueshëm. (A2 Televizion)