Kuvendi mblidhet të enjten, Lëvizja Vetëvendosje kërkon ndihmën e partive opozitare

Nga A2 CNN
7 Tetor 2024, 16:43 | Politikë

Kuvendi mblidhet të enjten, Lëvizja Vetëvendosje kërkon
Deputetët e Kosovës do të mblidhen në vazhdimin e seancës plenare të enjten më 10 tetor. Kështu vendosi Kryesia megjithëse pa sigurinë nëse seanca do të arrijë të përmbyllë punimet.

Pas largimit të disa deputetëve nga grupi parlamentar i Vetëvendosjes, tashmë partia e Albin Kurtit ka 54 deputetë dhe si 8 deputetë të tjerë nga komunitetet pakicë që janë pjesë e koalicionit, mjaftueshëm për të kaluar projektligje me shumicë të thjeshtë.

Megjithëse edhe brenda këtij grupi ka dallime rreth disa projektligjeve ndërsa Lëvizja Vetëvendosje pranon se vijim i punës do të jetë sfidues në muajt në vijim.

“Ne zakonisht kur kemi pasur mungesë të kuorumit ka ardhur për shkak të mospjesëmarrjes në votim për çështje të caktuara të deputetëve që kanë qenë në sallë apo për mungesën fizike. Është e domosdoshme që diku 54 projektligje që janë në mes të dy leximeve të përmbyllen në këtë legjislaturë”, deklaroi Mimoza Kusari-Lila

Partitë opozitare këmbëngulin se është përgjegjësi e mazhorancës për të siguruar numrin minimal të deputetëve për të siguruar kuorumin e nevojshëm minimal prej 61 deputetësh. 

Ndërsa për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare kërkohet edhe prezenca e opozitës.

“Po kërkohet ndihma e opozitës, sidomos për marrëveshjet ndërkombëtare, ndërsa këta nuk janë në gjendje të sigurojnë as shumicën e thjeshtë me të cilën janë mburrur. Ndërsa u fol për komisionet parlamentare dhe kërkesat janë bërë për komisione parlamentare, këto kërkesa u tërhoqën për shkak të procedurës së shkurtër dhe afatit kohor të shkurtër”, u shpreh Time Kadrijaj.

Lidhja Demokratike e Kosovës konfirmoi se në momentin kur janë në votim marrëveshjet ndërkombëtare do të marrin pjesë në seancë të Kuvendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos