Masa ndaj produkteve serbe, opozita akuza Kurtit: Të mbrojë interesin e shtetit të Kosovës

Nga A2 CNN
7 Tetor 2024, 16:40 | Politikë

Qeveria vendosi të heq pjesërisht masën e sigurisë ndaj produkteve serbe duke bërë që në njërën prej pikave kufitare me Serbinë, atë në Merdarë, të ketë kontroll të detajuar.

Largimi i kësaj mase ishte kërkesë e Gjermanisë për të zhbllokuar vendimmarrjen në CEFTA në takimin që pritet të mbahet të mërkurën dhe takimi i Procesit të Berlinit që do të mbahet më 14 tetor të konsiderohet i suksesshëm.

Partia Demokratike e Kosovës fajësoi kryeministrin Albin Kurti se po rrezikon pjesëmarrjen e Kosovës në mekanizma rajonalë.

“Qeveria duhet t’i përmbush obligimet e saj, nëse flitet për sigurinë e mallrave ato janë kushte që duhet t’i ofrojë Qeveria e Republikës së Kosovës apo cilado qeveri, duhet të përmbushen obligimet tona dhe të mos vijë puna deri tek një pozicion ku dukemi të paaftë të implementojmë detyrimet tona”, tha Abelard Tahiri

Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, çështja e CEFTA-s është delikate dhe problematike që i shtohet si barrë vendit për shkak të, sipas tyre, paaftësisë së Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.

“Kosova ka të drejtën dhe obligimet e veta, por gjithsesi duhet të trajtohet si anëtar i barabartë dhe në këto rrethana duket se Qeveria e Kosovës në vazhdën e problemeve në aspektin e komunikimit ndërkombëtar është edhe kjo një ndër problemet që ka. Prandaj, mendojmë se duhet të mbrohet maksimalisht interesi i Kosovës dhe po ashtu të ruhet anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare”, deklaroi Arben Gashi.

Kosova vendosi masë sigurie ndaj produkteve serbe që hynin nga maunet serbe pas rrëmbimit të tre policëve kosovarë dhe dyshimeve se po futen ilegalisht edhe armë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos