Marrëveshja me SHBA, si përfiton Kosova nga marrëveshja për mbrojtjen?

Nga A2 CNN
12 Mars 2025, 22:16 | Politikë

Qeveria e Kosovës miratoi në mbledhjen e së mërkurës një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është që të dy palët të angazhohen në avancimin e bashkëpunimit në fushat e mbrojtjes si planifikim i mbrojtjes, qëndrueshmëri strategjike dhe ngritje të kapaciteteve strategjike ushtarake.

Shtetet e Bashkuara do të mbështesin Ministrinë e Mbrojtjes për një planifikim profesional e të mirëfilltë të mbrojtjes me synim edhe rritjen e mbikëqyrjes civile. Po ashtu, në marrëveshje parashihet edhe menaxhimi i resurseve të mbrojtjes. Gjithashtu, SHBA do të mbështesë Kosovën në ndërtimin e kapaciteteve strategjike ushtarake duke përfshirë edhe mbrojtjen ajrore.

Konkretisht SHBA do të sjellë ekipet të cilat do të bëjnë vlerësimin dhe do të mbështesin Ministrinë e Mbrojtjes në prokurimin e sistemit të armatimit të nivelit strategjik siç janë mbrojtja ajrore, por edhe mbështetja ajrore. 

“Marrëveshja adreson çështjen e kapaciteteve ajrore, pra ndërtimit të flotës së helikopterëve që është një kapacitet që është planifikuar të ngrihet në Forcën e Sigurisë së Kosovës, gjithashtu për këtë çështje kemi pasur takime të rëndësishme gjatë vizitës që kemi pasur së bashku me komandantin e FSK-së në Uashington”, shprehet ministri Maqedonci.

Ministri Maqedonci konfirmoi se Kosova ka mbështetjen amerikane për blerjen e helikopterëve Black Hawk por edhe sistemeve të tjera.  Ai shtoi se synojnë që së shpejti të sjellin edhe sistemin Javelin për të cilin po vijojnë pagesat. 

“Ne jemi duke i ekzekutuar tashmë pagesat për sistemin kundër tank Javelin do t’i kemi në kohë në Forcën e Sigurisë së Kosovës bazuar në planet për furnizim me to ne. Jemi duke bërë përpjekje që një sasi ta kemi qysh këtë vit”, shton ministri.

Përpos kësaj marrëveshje, Kosova ka ftuar Shtetet e Bashkuara për një prezencë ushtarake ndaras misionit të saj në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. 

“Në dy drejtime jemi duke diskutuar prezencën ushtarake amerikane. E para që ndërlidhet me vendimmarrjen e tyre për të vazhduar të jetë pjesë e KFOR-it dhe; E dyta përmes bashkëpunimit që e kemi në aspektin bilateral duke i dhënë mundësi vetes, por edhe SHBA që të kemi prezencë në Republikën e Kosovës si në aspektin e trajnimeve po ashtu edhe të shfrytëzimit të hapësirave tona për qëllimet e përbashkëta”, shton Maqedonci.

Maqedonci deklaroi se në kuadër të marrëveshjes me SHBA, Kosova do të këshillohet dhe do të hartojë plane për anëtarësimin e vendit në NATO duke siguruar edhe mbështetje teknike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos