Osmani shpërthen ndaj gazetarëve: Disa punojnë kundër shtetit, nuk e arrestova unë kameramanin

Nga A2 CNN
11 Shtator 2025, 16:48 | Politikë

Në një konferencë për shtyp, të thirrur pasi denoncoi në rrjetet sociale atë qe e quajti, përndjekje të vazhdueshme të vajzave të saj nga mediat, presidentja Vjosa Osmani mohoi pretendimet se mbrojta e saj kishte arrestuar kameramanin e një portali lokal pranë shkollës private ku ndjekin mësimet 2 vajzat në Prishtinë.

Kameramani i portalit Paparaci, Jetmir Muji ishte mbajtur për disa orë në qendrën policore në kryeqytet, pasi ishte ndaluar teksa po xhironte për një raportim për shkollimin e vajzave të presidentes të mërkurën.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shprehi alarmim dhe shqetësim me ndalimin e tij, duke e cilësuar “arbitrar”.

Osmani i thirri në takim gazetarët të enjten, ku dha sqarime për ngjarjen, duke thënë se kjo ishte një gënjeshtër tjetër. 

Ajo tha se “incizimi i paautorizuar është vepër penale”, dhe theksoi se i kishte dërguar vajzat në shkollë private pasi ajo publike ku ndiqnin mësimet deri tani, nuk plotësonte kushtet e sigurisë të kërkuara nga organet kompetente.

Ajo gjithashtu pretendoi se ka marrë shumë kërcënime dhe e kritikoi gjyqësorin për “mosndërmarrjen e masave”.

Presidentja vijoi më tej duke akuzuar disa gazetarë se janë të përfshirë në plane kundër shtetit duke aluduar edhe mbi rrezikun për një grusht shteti.

Ajo tha se me kryeministrin Kurti nuk kanë pasur asnjëherë dallim mbi faktin se Kosova duhet të mbrohet nga Vucic, dhe se do të ishte mirë qe mediat ta thoshin ndonjëherë që Kurti është në një linjë me Vjosën e jo anasjelltas.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos