Lëvizja Vetëvendosje i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të shpallë të papranueshme kërkesën e Listës Serbe në lidhje me zgjedhjen e nënkryetarit serb të Kuvendit të Kosovës.
Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se kontrolli kushtetues është i mundur vetëm mbi aktet e miratuara nga Kuvendi, por në këtë rast ka vetëm një procedurë të ndërprerë pa ndonjë procedurë juridike.
“Gjykata Kushtetuese nuk duhet ta njohë asnjë pretendim që mund të përdoret nga subjekte që siç është në këtë rast Lsita Serbe të cilat synojnë të bllokojnë apo pengojnë konstituuimin e Kuvendit. Gjithashtu duhet theksuar që funksionaliteti dhe uniteti i institucioneve të Kosovës nuk mund të varen nga vullneti i një subjekti politik që nuk e njeh shtetin dhe kushtetutën”, tha Albulena Haxhiu, nënkryetare e Kuvendit.
Parlamenti deri tani ka zgjedhur 4 nga pesë nënkryetarët. Në pozitën e nënkryetarit nga minoritetet e tjera joserbe u zgjodh deputetja boshnjake Emilja Rexhepi.
Lista Serbe ka kërkuar që votimi për nënkryetarët nga minoritetet të bëhet në pako, siç ka ndodhur me nënkryetarët shqiptarë.
Haxhiu tha se Kushtetuta nuk e kërkon një gjë të tillë dhe se Vetëvendosje nuk do të votojë asnjë deputetët të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit.
“Vetëvendosje nuk do të votojë asnjë deputet nga radhët e Listës Serbe. Nuk ka gjykatë që mund t’i thotë ndonjë partie politike patjetër duhet të votosh për këtë person, nuk mundet”, tha Haxhiu.
Haxhiu tha se është e papranueshme që Kushtetuesja ka bllokuar punën e Kuvendit pasi plani ishte të votohej qeveria e re.
Ajo tha se do të vijojnë takimet me Nismën dhe me ndonjë deputet të interesuar të bashkëpunojë me ta, por hodhi poshtë ftesa për PDK dhe LDK.
“Negociatat apo diskutimet mund të vazhdojnë me Nismën apo ndonjë deputet që është i interesuar të jetë në bashkëqeverisje me Kurti III. Ne kemi thënë se duhet të ecim përpara, jo që të ndalemi, duhet të vazhdojmë përpara ose me qeveri të re, ose me zgjedhje të reja”. (A2 Televizion)