Osmani thërret liderët e partive politike në takim të premten

Nga A2 CNN
30 Tetor 2025, 11:56 | Politikë

Osmani thërret liderët e partive politike në takim të

Presidentja Vjosa Osmani i ka thirrur kryetarët e partive politike në një takim për të premten në mesditë, teksa Kosova vazhdon përpjekjet për formimin e një qeverie të re gati nëntë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve.

Bekim Kupina, këshilltari i Osmanit, tha për Radion Evropa e Lirë të enjten se takimi do të mbahet nesër në orën 12:00.

Osmani pritej t’i ftonte ata për takim konsultativ, pasi i mandatuari i parë nga ajo, Albin Kurti i partisë fituese Lëvizja Vetëvendosje, dështoi të fitonte votat të mjaftueshme në Kuvend të dielën për ta zgjedhur qeverinë e re.

Ajo duhet ta caktojë një mandatar tjetër për formimin e qeverisë brenda 10 ditësh nga dështimi i mandatarit të parë, sipas Kushtetutës.

Megjithatë, nuk është e qartë nëse do të caktohet një mandatar i ri, për shkak të mungesës së vullnetit nga partitë për të arritur ndonjë koalicion qeverisës.

Lideri i partisë së dytë më të votuar, Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, të dielën e hodhi poshtë mundësinë që të bëhet mandatar i radhës, në rast se presidentja do ta pyeste nëse e ka shumicën.

Pak ditë pasi nuk e mori mbështetjen e Kuvendit për një mandat të tretë, Kurti – i cili është kryeministër në detyrë – paralajmëroi zgjedhje të reja në dhjetor.

Ai tha se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Nisma nuk deshën të bashkëpunonin me të, ndërsa ai vetë nuk e donte PDK-në në bashkëqeverisje.

Ndërkohë, të martën, Kupina tha se presidentja do t’iu bëjë thirrje liderëve të partive parlamentare për kompromis politike gjatë takimit me ta, i caktuar tashmë për të premten.

“Presidentja do t'i inkurajojë partitë politike të bashkëpunojnë për ta shmangur çdo bllokadë që mund të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve dhe në funksionimin e institucioneve të Kosovës”, tha Kupina për REL-in të martën.

Gjithashtu, presidentja do ta theksojë rëndësinë e miratimit të buxhetit të Kosovës si dhe miratimin e Planit të Rritjes së BE-së gjatë bisedimeve të ardhshme me partitë politike, shtoi Kupina.

Në prag të këtij takimi, shoqëria civile në vend i bëri thirrje presidentes t’i bashkojë partitë për ta miratuar buxhetin e ri të Kosovës.

Kosova e bëri Kuvendin e ri muaj më parë, por dështimi javën e kaluar për ta formuar një qeveri të re, ka rritur rrezikun që vendi të hyjë në vitin 2026 pa buxhet.

Eksperti i financave, Haki Shatri, tha për REL-in të martën se shteti rrezikon të falimentojë, teksa mund të mos ketë para as për paga, e as për pensione e shtesa për fëmijët në fillimvitin e ardhshëm, nëse nuk miratohet buxheti i ri.

Shatri, ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, shtoi se pa një qeveri të re, në janar s’do të ketë para as për ushtrinë e Policinë.

Paraliza politike ka bërë gjithashtu që Kosova të mos jenë në gjendje ta marrë asnjë qindarkë nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, nga i cili parashihet të përfitojë mbi 880 milionë euro.

Plani i Rritjes përmban një paketë prej 6 miliardë eurosh për të përkrahur përafrimin e ekonomive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet evropiane.

Kosova duhet ta ratifikojë në Kuvend marrëveshjen me bllokun për të qenë në gjendje të fillojë t’i pranojë të hollat. REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos