Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është distancuar nga deklarata e deputetit të Vetëvendosjes, Fatos Geci, që uroi me “dënim të përjetshëm” ish presidentin Hashim Thaçi. Ai shprehu bindjen për drejtësinë e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.
“Ju e dini qëndrimin tonë për Gjykatën Speciale e cila është një gjykatë jonormale, jo transparente. Ne jemi të bindur për drejtësinë e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, bartëse e së cilës ishte UÇK-ja dhe në pafajësinë e katër krerëve që po mbahen padrejtësisht në Hagë. Ju ishit dëshmitarë që kryetarja e kuvendit, Albulena Haxhiu, ia ndërpriti fjalën, ia tërhoqi vërejtjen deputetit Geci edhe për shkak të gjuhës edhe komentit që bëri…”, tha Kurti.
Gjithashtu komentoi dhe krizën politike lidhur me çështjen e presidentit, duke nënvizuar frikën se Kosova po futet në një rreth vicioz zgjedhor.
“Nëse shkojmë në zgjedhje të reja së paku 10 milionë euro ato kushtojnë, nëse shkojmë në zgjedhje të reja për shkak se nuk do të funksionoj Kuvendi do t’i humbim dhjetëra milionë euro si shtet, nëse shkojmë në zgjedhje të reja nuk do të kemi zgjidhje meqenëse sërish do të na duhet të shkojmë në zgjedhje të reja…unë nuk e di si mund t’i kemi 80 deputet është e domosdoshme që të merremi vesh unë kam qenë shumë bujar me partitë opozitare. Pas aktgjykimit u takova me LDK-në, PDK-ja refuzoi që të takohemi LDK ia kam bërë dy oferta njërën për bashkëqeverisje tjetër për rokadë në kryesinë e kuvendit pastaj PDK për rokadë në kryesinë e Kuvendit por thjeshtë nuk po më duken të gatshëm dhe të interesuar për marrëveshje dhe ky është dëm i madh për shtetin e Kosovës”, shtoi Kurti. (A2 Televizion)